Inflacioni bazë shënon rekord të ri historik, a do të “frenojë” Banka e Shqipërisë?

0
Gjigandi

Inflacioni bazë u rrit për të nëntin muaj radhazi në tetor, duke arritur një rekord të ri historik.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues arriti në 8.61%, nga 8.44% që kishte qenë për muajin shtator.

Megjithatë, ana pozitive e medaljes është që ritmi i rritjes së këtij treguesi u ngadalësua ndjeshëm. Rritja mujore me 0.17 pikë përqindje është më e ulëta e regjistruar gjatë këtij viti.

Inflacioni bazë është indikatori me peshën kryesore në vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Ky tregues mat ndryshimin e çmimeve në ekonomi, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Inflacioni bazë është një tregues veçanërisht i rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetare, sepse tenton ta zhveshë inflacionin total nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Ai përfaqëson pjesën më të qëndrueshme të inflacionit që ndikohet nga faktorë të kërkesës dhe për rrjedhim të politikës monetare.

RonaTyra

Ngadalësimi i rritjes së inflacionit bazë gjatë muajit tetor rrit shpresat se Banka e Shqipërisë mund të ngadalësojë disi ritmin e normalizimit monetar. Mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës me objektiv vendimmarrjen e politikës monetare do të zhvillohet më datë 21 dhjetor.

Nëse edhe për nëntorin inflacioni bazë shfaq tendenca stabilizimi, kjo mund të krijojë hapësira për një rritje në përmasa më të vogla të normës bazë të interesit.

Në fillim të muajit nëntor, Banka e Shqipërisë aplikoi rritjen e tretë radhazi me 0.5 pikë përqindje të normës bazë të interesit, duke e çuar këtë tregues në 2.75%, niveli më i lartë që prej vitit 2013.

Rritja e shpejtë e normave të interesit po bëhet një shqetësim për tregun financiar. Lëvizjet e Bankës së Shqipërisë janë përcjellë me ritme të shpejta në yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Kjo ka rritur koston e huamarrjes për qeverinë, por ka shkaktuar edhe një reaksion zinxhir efektesh të tjera në tregun financiar.

Huamarrësit me kredi afatgjata në lekë, që ndërtohen mbi yield-et e bonove, po përballen me një shtrenjtim të fortë të kësteve mujore të kredisë. Nga ana tjetër, rritja e yield-eve të bonove po i bën ato gjithnjë e më tërheqëse për individët dhe bankat po përballen me një ngadalësim drastik të rritjes së depozitave në lekë.

Një efekt të ngjashëm kjo rritje po shkakton edhe në tregun e fondeve të investimit. Këtë vit individët po tërheqin paratë e mbajtura në këto fonde, me qëllim për t’i investuar direkt në ankandet e bonove dhe obligacioneve. Asetet neto të tregut të fondeve të investimit janë tkurrur me më shumë se 30% për nëntë muajt e parë të këtij viti.

Duke parë efektet e rritjes së shpejtë të normave të interesit, duket se qeveria, huamarrësit dhe institucionet financiare do ta mirëprisnin një lloj frymëmarrjeje, duke e ulur disi ritmin e normalizimit monetar.

Por, Banka e Shqipërisë është shprehur në mënyrë të përsëritur se rreziku kryesor në këtë fazë është inflacioni i lartë, duke lënë të kuptohet se do të ngadalësojë rritjen e normave vetëm kur “stuhia” inflacioniste të japë shenja se po qetësohet. Ngadalësimi i rritjes së inflacionit bazë mund të jetë një ogur i parë i mirë, por që do të kërkojë konfirmim të mëtejshëm gjatë muajve në vijim. /Monitor.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu