Lionel Mesi mezi po pret që të rikthehet në fushë me Barcelonën ditën e sotme dhe pranon se ndërprerja e futbollit e ka bërë të reflektojë. La Liga u ndërpre prej mesit të muajit mars për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Katalanasit kryesojnë me dy pikë të shkëputur nga Reali i Madridit pas 27 javësh.
Kampionati spanjoll rinisi me derbin e së enjtes ku Sevija mposhti Betisin 2-0, ndërsa kampionët e rrotullojnë topin për herë të parë sot kundër Real Majorkës.
Kapiteni argjentinas e ka përshkruar futbollin si një dhuratë dhe është i lumtur që do të luajë edhe njëherë pas tre muajve pushim. “Të qenurit larg futbollit më ka bërë të reflektoj”, thotë “Pleshti” gjatë një videoje për sponsorin “Adidas”. “Ndihem si çdo futbollist tjetër. Thjesht dua të luaj. Dhe të luash sportin tonë, është një dhuratë.
Të mbështetesh nga kaq shumë njerëz është akoma më shumë. Të jesh në gjendje të frymëzosh të tjerët dhe të frymëzohesh. Dhe ndoshta dhurata më e madhe e të gjithave është të krijosh gëzim për të tjerët. Kështu që tani që futbolli u rikthye, jam gati për këtë dhuratë përsëri”.