36-vjeçari Ali Zili që dyshohet se vrau dy gra në fshatin Progër, pasi u hyri në shtëpi për t’i grabitur, është ndaluar pak minuta pas krimit.
Policia identifikon dhe kap në kohë rekord, autorin e dyshuar të vrasjes së dy shtetaseve në fshatin Progër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, pas njoftimit të marrë se në fshatin Progër, Devoll, ishin gjetur të pajeta dhe me shenja dhune në banesën e tyre shtetaset F. B., dhe B. B., menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit të menjëhershëm, veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, krehjes së zonës dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin A. Z., 36 vjeç, banues në fshatin Progër.
Ky shtetas dyshohet se ka hyrë për të vjedhur në banesën e viktimave dhe kur ka hasur në rezistencën e tyre, i ka dhunuar ato me sende të forta duke ju shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.