Hapja e kufirit me 1 korrik, Greqia ndryshon mendim. Ja kush mund të kalojë

0
Gjigandi

Megjithëse një ditë më parë zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas ka komunikuar se do të hapen në 1 korrik kufijtë me Shqipërinë , Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë në kuadrin e lehtësimit të masave kundër pandemisë ,pasditen e së martës ai ka dalë me një komunikatë të re sqaruese për personat që do të lejohen të hyjnë në tokën greke.

Kryesisht sa i përket Shqipërisë, si vend i tretë ,vërtetë që dy pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës do të hapen prej 1 korrikut, por përsëri do të lejohen vetëm ata persona që kanë arsye të veçanta pune ose shëndeti.
Në mënyrë konkrete siç thuhet në deklaratën përkatëse të qeverisë greke pas konsultimeve në nivelin e BE, nga 1 korriku 2020 mundësia e hyrjes në Greqi për të gjithë banorët e përhershëm të vendeve anëtare vazhdon normalisht.
Ekziston gjithashtu mundësia e hyrjes për ata shtetas të vendit të tretë që kanë leje qëndrimi në Greqi, ndërsa bëhen përjashtime ,domethënë mund të hyjnë edhe shtetasit e vendeve të treta (anëtarë të një familje ku kryefamiljari është qytetar evropian), punonjës në sektorin e shëndetësisë dhe studiues, kujdestarë të të moshuarve, punonjës të kufirit, punëtorët sezonalë në bujqësi, personeli i punësuar në sektorin e transportit,- përfshirë marinarët, personeli diplomatik, personeli i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak, punëtorët e ndihmave humanitare gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.
Gjithashtu do të lejohen edhe punonjës të transporteve , pasagjerë që udhëtojnë për arsye familjare,  studentë, nënpunës të specialiteteve të veçanta ku punësimi i tyre është i dobishëm për ekonominë kombëtare dhe puna e tyre nuk mund të shtyhet ose kryhet nga distanca.
Ata që kanë një pasaportë greke ose Kartën special te identitetit (EDTO) janë gjithmonë të mirëpritur nga kudo qe ata vijnë – vazhdon deklarata.
Sipas deklaratës qeveritare, Greqia është duke ndërmarrë hapin tjetër për të rikthyer flukset e udhëtimit, por gjithnjë duke pasur qëllim mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve në industrinë e turizmit, banorëve të saj dhe destinacioneve turistike e vizitorët.
Lista me 14 vendet jashtë BE që publikoi Brukseli orët e fundit do të azhurnohet çdo dy javë.
Sa ju përket shtetasve të vendeve të treta, pra edhe atyre shqiptare, për të vërtetuar vendbanimin e tyre, mund të paraqesin lejen e tyre të qëndrimit, lejen e punës, kartën e identitetit,patentën e shoferit ose dokumente të tjera.
Të gjithë udhëtarët me destinacion tokën greke, do të duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë formularin e pasagjerëve për 48 orë para udhëtimit të tyre (Passenger Locator Form), i cili është në dispozicion në aplikacionin Visit Greece dhe në faqen e internetit travel.gov.gr.
Për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve, mjekët specialiste dhe  inxhinierët kanë hartuar një program për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave epidemiologjike, mbi bazën e të cilit vizitorët do të jenë subjekt i marrjes së mostrave (testit Covid-19) pas hyrjes. Këta vizitorë duhet të ndjekin udhëzimet e Sekretariatit të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile.
Greqia, në bashkëpunim me partnerët e saj të Bashkimit Evropian, rezervon të drejtën të rishikojë politikën e saj për këto çështje në bazë të zhvillimit të të dhënave epidemiologjike –përfundon deklarata e zëdhënësit te qeverisë greke.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu