Grupi ukrainas i muzikës punk, “Beton”, e ka përpunuar këngën e popullarizuar “London Calling” të rok bendit britanik, “The Clash”, duke e kthyer atë në “Kyiv Calling” për të nxjerrë në pah ngjarjet në Ukrainë dhe për të mbledhur fonde për lëvizjen e rezistencës.
I përbërë nga një arkitekt, një ortoped dhe një biznesmen, grupi tre anëtarësh regjistroi një version të riformuluar të hitit nga viti 1979 në një studio në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv.
Ata shpresojnë se ky projekt do të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për operacionet joushtarake të Lëvizjes së Rezistencës së Ukrainës së Lirë (FURM) – ka thënë një publicist i FURM – duke shtuar se “The Clash” kanë rënë dakord të dhurojnë të gjitha honorarët e grumbulluara për departamentin e komunikimit të lëvizjes.
https://www.youtube.com/watch?v=9guzUoTNxeE
“Kievi i bën thirrje gjithë botës. Dilni nga neutraliteti, djem dhe vajza”, thuhet në tekstin e versionit të ri, derisa kënga është shoqëruar me një videoklip, ku përfshihen fragmente nga shkatërrimet në Ukrainë.
“Shumë muzikantë ukrainas janë tani në fushat e betejës ose në mbrojtjen territoriale. Këtë herë ata i kanë zëvendësuar kitarat me armë”, ka thënë frontmeni i “Beton”, Andriy Zholob.
“Shpresojmë që kjo këngë të tregojë shpirtin e ukrainasve dhe sfidën tonë ndaj agresionit rus”, ka shtuar ai. /
abc24.al
/