Një ish-gjykatës i kërkuar në Iran për korrupsion, ka rënë për vdekje dje nga ballkoni i hotelit në Rumani. Policia rumune tha se burri kishte rënë nga një kat i lartë i një hoteli në Bukuresht por pa e identifikuar.
Por mediat vendase e identifikuan atë si Gholamreza Mansouri, i arratisur vitin e shkuar nga Irani pasi kërkohej për marrjen e rreth 500,000 euro ryshfete.
Mansouri i mohonte akuzat, ndërsa Irani kishte dërguar një kërkesë ekstradimi.
Javën e kaluar viktima tha në një video-deklaratë se ishte larguar nga Irani për arsye të paspecifikuara shëndetësore dhe se më pas kufizimet e koronavirusit nuk e lejonin të kthehej për t’u përballur me akuzat.
Më herët grupe disidentësh iranianë kishin nxitur qeverinë rumune të mos ekstradonte Mansouri por ta gjykonte për urdhërimin e arrestimeve masive në Iran.
Nuk është e qartë se kur ai ka udhëtuar drejt Rumanisë por zëdhënësi i gjyqësorit iranian Gholamhossein Esmaeili, tha më 13 qershor se Mansouri ishte arrestuar nga Rumania dhe do të kthehej në Iranin në ditët në vijim.
Autoritetet rumune thanë se ai po mbahej në “kontroll gjyqësor” derisa autoritetet të procesonin kërkesën.
Mansouri njihet më shumë për urdhrin e arrestimeve masive të gazetarëve në 2013 në fund të mandatit të presidentit Mahmoud Ahmadinejad.
Burimi: top-channel.tv