Njësitë elitare të komandove gjermane kanë nisur një shkrirje të pjesshme pas pretendimeve se radhët e tyre janë infiltruar me ekstremistë të së djathtës radikale.
Ministrja gjermane e mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer njoftoi sot shkrirjen e pjesshme të forcave speciale pas raportimeve për incidente me simbole naziste, armë të paligjshme e madje komplote për vrasje politikanësh të majtë.
Ministrja refuzoi kërkesat për shpërbërjen e plotë të njësisë pasi sipas saj “kemi nevojë për forcat speciale, por ato duhet të kenë besimin e publikut”, raporton Bild.
Forcat Speciale Gjermane përbëhen nga ushtarë të zgjedhur prej ushtrisë gjermane Bundeswehr.
KSK kryen operacione anti-terror, siç ka bërë në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.
Në fillim të vitit mediat vendase thonin se rreth 500 elementë ekstremistë gjendeshin në ushtrinë gjermane. Në fillim të muajit policia kapi armë e eksplozivë në shtëpinë e një anëtari të forcave në speciale.
Burimi: top-channel.tv