70 bimë narkotike janë gjendur dhe sekuestruar në Mallakastër ditën e sotme, ku si pasojë është vënë në pranga autori pasi tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes.
Si rezultat i një hetimi dyjavor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “River”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
Elton Goxhaj 39 vjeç, banues në fshatin Lapulec, Mallakastër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Gjatë këtij operacioni, në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, në fshatin Lapulec, anës lumit Gjanica, u gjetën të kultivuara 70 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Shtetasi E. G. u gjet, si rezultat i kontrolleve nga shërbimet e Policisë, në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i kultivimit të bimëve të dyshuara narkotike cannabis sativa.
39-vjeçari, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të punonjësve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.