Sulmuesi anësor i West Brom, Jonathan Leko, e ka pranuar se ai është i kënaqur që e ka lënë në të kaluarën incidentin racist në të cilin pësoi shkaku i portierit të Leeds, Kiko Castillas. Megjithatë, ai ka thënë se ende nuk i është kërkuar falje nga klubi i spanjollit.
Incidenti ndodhi më 28 shtator të vitit të kaluar, përderisa Leko ishte i huazuar në Charlton. Megjithatë, u deshën pesë muaj para se ish-portieri i Real Madridit të dënohej me pezullim prej tetë muajve.
Në atë periudhë, Leko kishte thënë se ai nuk është i sigurt nëse do të mundë ta përballonte ndonjë incident të atillë sërish në të ardhmen, mirëpo ai ka mbajtur bisedime produktive me Shoqatën e Futbollistëve Profesionistë në Angli dhe Uells.
“Unë thjesht jam i lumtur që ka marrë fund tani. Në atë moment, isha i zemëruar se sa shumë kohë iu desh autoriteteve për ta zgjidhur problemin. Kjo më bëri të ndihem keq sepse askush nuk po më dëgjonte dhe s’po më merrnin seriozisht”, ka thënë 21-vjeçari për Sky Sports.
“Tani e kam ndryshuar qëndrimin tim dhe do t’i thosha të gjithëve të raportojnë për çfarëdo incidenti. Unë e kisha një takim me Shoqatën e Futbollistëve Profesionistë dhe ata thonë se nëse kjo gjë ndodh sërish, ata mund ta përshpejtojnë procesin dhe mund të sigurojnë ndihmë nga njerëzit e tjerë”.
“Unë kam pasur shumë përkrahje, veçanërisht nga Charlton. Nuk kam pasur asgjë nga Leeds United. Kjo më habit paksa pasi që unë mendoja se do të më kërkonin falje, por ndoshta ata duhet ta mbrojnë lojtarin e tyre”.
“Ka marrë fund tani dhe unë dua të ecim përpara. Nuk dua të bisedoj për atë që ndodhi me të. Jo, s’dua ta bëj këtë”.