Tyson Fury i ka dhënë zjarr rivalitetit me Anthony Joshuan, duke thënë se ka goditje më të fortë se ai.
Këto deklarata të Furyt vijnë pak ditë pasi u bë e ditur se do të ketë dy përballje mes kampionëve britanikë të kategorisë së rëndë në boksin profesionist.
Është konfirmuar nga promotori i Joshuas, Eddie Hearn, se është arritur marrëveshje për dy meçe unifikuese për tituj të botës, vitin e ardhshëm.
Joshua mbanë titujt në versionet IBF, WBA dhe WBO, ndërsa humbjen e vetme në karrierë e ka pësuar nga Andy Ruiz Jr në verë të vitit 2019. Ai ka 23 fitore, 21 prej tyre me nokaut. Fitorja impresive e Furyt ndaj Deontay Wilderit në shkurt i siguroi atij titullin në versionin WBC. Ai po ashtu ka 21 fitore me nokaut, por ka shtatë luftëra më shumë se Joshua.
Përkundër kësaj, Fury thotë se pajtohet me sugjerimin e Frank Warren se ai është goditës më shkatërrues.
“Unë kam kaluar në profesionalizëm në moshën 19-vjeçare. Si fëmijë, unë po boksoja si burrat”, ka thënë Fury, raporton Sky Sports, raporton EO.
“Joshua nuk ka kaluar në profesionalizëm deri në mesin e të njëzetave, kur ai ishte burrë. Kështu që unë kam mësuar si fëmijë i vogël. Nëse do të kaloja në profesionalizëm si 25 apo 26-vjeçar atëherë do t’i kisha nokautuar të gjithë që rrinin larg meje kur isha djalë i ri”.
Fury ka thënë se ka nokautuar boksierët me goditjen më të fortë në histori. Për Andy Ruizin ka thënë se nuk është goditës i madh, por megjithatë e ka nokautuar Joshuan.
“Kështu që unë do të thoja që kam goditje më të fortë se ai”.