Vetëvendosja e ka refuzuar ftesën e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për të marrë pjesë në diskutimet e thirrura nga qeveria e tij. Sipas zëdhënësit Arlind Manxhuka, Hoti i ka dërguar një letër Albin Kurtit për të diskutuar për dialogun me Serbinë, por ai nuk ka pranuar.
“Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe, dhe e formuar nga Thaçi si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinën nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve”, ka shkruar Manxhuka në profilin e tij në Facebook.
Hoti ka prezantuar mekanizmin e tij për dialogun me Serbinë, i cili pritet të çojë drejt një marrëveshjeje përfundimtare për paqe mes dy vendeve. Shefi i ekzekutivit kosovar ka propozuar një “forum të liderëve” për bisedimet me palën nga Beogradi. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet kosovare vendosën taksën 100 për qind mbi mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Kjo masë u zëvendësua nga qeveria Kurti me reciprocitet, por ekzekutivi i ri i Hotit e rrëzoi me qëllimin, siç tha ai, të hiqen pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Hoti prezantoi një platformë dialogu që ai do ta udhëheqë ai në bazë të kompetencave kushtetuese. Nga ana tjetër integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm.
Në të njejtën kohë, kryeministri fton opozitën që t’i bashkohen procesit. Marrëveshja Kosovë-Serbi, duhet të përfundojë me njohje reciproke, tha ai.
Burimi: top-channel.tv