Ish-kryeministri Sali Berisha ftoi një natë më parë të larguarit nga Partia Demokratike, si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Arben Imami dhe Astrit Patozin, që këta personalitet të selisë blu të rikthehen.
Për këtë ftesë ka reaguar për herë të parë, Astrit Patozi, ish-nënkryetari i PD-së dhe ish kryetari i Grupit të PD-së, tashme kryetari i Partisë Bindja Demokratike.
Patozi shkruan se nuk ka ndërmend të kthehet në PD dhe se
“ndjehem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time”.
“FALEMINDERIT, POR NUK JAM NË KËRKIM.
Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.
Faleminderit, që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.
Ndjehem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.
Por meqë ftesa verbale për “dasêm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.
Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani”
, thekson Patozi.