Pas dy fitoresh në kampionat, të dyja në transfertë, Skënderbeu humbi ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Bylisit, ndërsa trajneri Daja e justifikoi këtë rezultat edhe me rotacionin që bëri në këtë sfidë.
Si e justifikoni humbjen e sotme?
Vinim pas dy ndeshjeve në një afat të shkurtër kohor dhe duke qenë se kualifikimi luhet në 180 minuta, vendosëm të bëjmë rotacion, duke lënë pushim disa lojtarë që kanë luajtur të plota ndeshjet e para në kampionat. Mund të bënim më mirë, por jemi ende në garë dhe do të provojmë të kualifikohemi në ndeshjen e ardhshme, ndonëse Bylisi ka hedhur një hap para me fitoren 1-0.
Ju vjen keq për rastet e humbura apo për mënyrën si pësuat gol?
Bëmë një ndeshje të mirë dhe mund t’i kishim zgjidhur më mirë mundësitë e krijuara, ndërsa në rastin e golit të pësuar, humbëm atë ekuilibrin taktik që duhet ta kemi gjithmonë në fushë. Megjithatë ne kishim përdorur të njëjtët lojtarë në dy takimet e para në kampionat dhe ishte momenti për pak pushim, ndaj ndryshimet në formacion dhanë atë efektin e vet në fushë.