Ish-kryeministri Sali Berisha përshëndeti fitoren e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në Shkodër. Ndërsa falenderoi votuesit, ai tha se të dielën populli zgjodhi të votojë opozitën e vërtetë.
“Rezultati u arrit në kushtet më të vështira, pasi PD u përball në këto gjendje në Shkodër dhe kudo jo vetëm me kreun meduzës, por edhe me patericën e tij, me shtojcën e tij Lulzim Bravën që sot është demokrati i vetëm në Shqipëri që ndjehet se nuk humbet dhe nuk ka humbur. Pra i ka dhënë një zgjidhe përfundimtare problemit duke shpallur çdo humbje në mos fitore, të paktën jo humbje. Këto zgjedhje janë kushtrimi për demokratët që të bashkohet. Populli opozitar votoi masivisht opozitën e vërtetë.”
Për kandidatin Bardh Spahia ishin hedhur në kuti rreth 20 mijë vota, që i siguruan, vendin e parë.
Betejën e ashpër me koalicionin e Sali Berishës e bëri Partia Socialiste, e cila u rendit në vend të dytë me kandidaten Majlinda Angoni që mori gati 18 mijë vota.
Ndërsa Xhemal Bushati që në këtë garë përfaqësoi Partinë Demokratike, nuk mori dot më shumë se 7.500 vota, duke rikonfirmuar rezultatin e dobët të këtij fraksioni demokrat në këto zgjedhje të pjesshme lokale.