Skuadra e Feronikelit nga Drenasi arkëton tri pikë të mëdha në elitën e futbollit të Kosovës. “Nikli” me sukses i kthehet garave pas pushimit më shumë se 2 muaj e gjysmë për shkak të pandemisë Covid 19.
Feronikeli ngadhënjeu me rezultat 3:1 kundër Vushtrrisë.
Djelmoshat e kryetrajnerit Afrim Tovërlani treguan lojë të mirë dhe morën tri pikë domethënëse.
Vendasit për 16 minuta shënuan dy herë! Së pari Van-Dave Harmon në minutën e 9-t dhe pastaj Mevlan Zeka me kokë realizon në atë të 16-tën.
Në fund të pjesës së parë mysafirët ngushtuan rezultatin në 2:1 me golin e Valmir Azemit që realizoi nga gjuajtja e lirë.
Në pjesën e dytë vendasit thellojnë epërsinë duke iu falënderuar edhe golit të bukur të Lapidar Lladrovcit në minutën e 70-të.
Pas 23 jave Feronikeli renditet në vend të pestë me 37 pikë aq sa ka edhe Llapi një pozitë me poshtë, ka 9 pikë me pak se lideri i ri Drita dhe Vushtrria është në vend të 11-të me 16 sosh.