Teksa kompanitë e mediave sociale premtojnë të godasin dezinformimin rus për luftën në Ukrainë, studimet tregojnë se ato vazhdojnë të dështojnë, duke lejuar që narrativat e mohuara të arrijnë miliona përdorues.
Facebook dështoi të etiketojë 80 përqind të artikujve që promovonin një teori konspirative të përhapur me shpejtësi, se ShBA po financon përdorimin e armëve biologjike në Ukrainë, sipas një studimi të publikuar të premten nga Qendra Kundër urrejtjes Digjitale (CCDH).
Grupi kërkimor i dezinformimit studioi një mostër postimesh nga 24 shkurti deri më 14 mars, që ndante artikuj që përmbanin pretendime të pabaza për armët biologjike. Sipas studimit, Facebook në 80 përqind të rasteve nuk arriti t’i etiketonte postimet si “kontekst i munguar”, “përmbajtje e informacionit pjesërisht të rremë” ose “informacion të rremë”.
Shefi ekzekutiv i Qendrës, Imran Ahmed, tha se nëse studiuesit mund të identifikojnë informacion të rremë rreth Ukrainës që qarkullon hapur në Facebook – është punë e Meta-s ta bëjë të njëjtën gjë.
“Ne zbuluam se në shumicën dërrmuese të rasteve, teorive të konspiracionit u jepet një kalim falas”,
tha ai.
Teoria e armëve biologjike filloi të përhapet në ditët e para të luftës kundër Ukrainës, mes llogarive më të vogla, duke arritur drejt platformave më të mëdha si Fox News.
Shtëpia e Bardhë e ka dënuar teorinë, duke thënë se mund të jetë prodhuar nga Moska për të justifikuar një përdorim të mundshëm të armëve kimike kundër Ukrainës.
Por ajo vazhdon të përhapet në mediat sociale, duke përfshirë Facebook, raporton Guardian.
Studiuesit zbuluan se artikujt kishin marrë më shumë se 150,000 pëlqime, komente dhe shpërndarje në Facebook.
“Fushatat propagandistike të Rusisë kanë përfituar prej vitesh nga mbyllja e syve nga Meta ndaj dezinformatave. Pavarësisht se ka ndërmarrë veprime kundër kanaleve shtetërore nën presion të madh, Meta po dështon keq të përmbajë narrativa të mëdha dezinformative që i sjellin dobi regjimit të Putinit”,
tha Ahmed.
Zëdhënësi i Facebook, Kevin McAlister, tha se studimi “keqinterpreton shkallën dhe shtrirjen e përpjekjeve të kompanisë”.
“Në fakt, ne kemi sistemin më të fuqishëm për kontrollimin e fakteve të pretendimeve të rreme nga çdo platformë, dhe partnerët tanë të kontrollit të fakteve kanë fshirë dhjetëra pretendime për armët biologjike në disa gjuhë, duke përfshirë ukrainisht, rusisht dhe anglisht”,
tha ai.