Tregu i fluturimeve në vend rezulton se e ka marrë veten, duke tejkaluar nivelet e përpara pandemisë në dy muajt e parë të këtij viti, të dhënat janë bërë të ditur nga Eurostat, që raporton krahasimet për fluturimet komerciale në shtetet e Evropës.
Shqipëria rezulton e vetmja me rikuperimin pozitiv të tregut të fluturimeve, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të raportuara janë 20-40 për qind më poshtë se periudhat përkatëse të para-pandemisë për janarin dhe shkurtin.
Në janar, fluturimet nga Shqipëria u rritën me 9.7 për qind, në raport me janarin e vitit 2019, ndërsa në shkurt zgjerimi ishte 0.7 për qind.
Ndërsa në raport me periudhat përkatëse të 2021, fluturime janë dyfishuar, përkatësisht me një rritje prej 139.6 për qind në janar, me bazë vjetore dhe rritje me 117.8 për qind në shkurt.
Rimëkëmbja ka nisur që në muajin gusht të vitit të kaluar, ku për shkak të sezonit turistik, fluturimet u rritën me 23 për qind në raport me para krizën dhe me rreth 17 për qind në shtator.
Situata ishte shumë më e mirë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, që vijoi të vuajë pasojat e pandemisë edhe në 2021, për shkak të kufizimeve më të rrepta që ende ishin në fuqi.
Në gusht dhe shtator, fluturimet në vendet e BE-së ishin mesatarisht 31-33 për qind më të ulëta se muajt përkatës të 2019-s, ndërsa edhe në janar e shkurt të këtij viti nuk kanë arritur ende të rikuperojnë, duke mbetur sërish 33 për qind më pak se para-pandemia, raporton Monitor.
/abc24.al/