Eroll Salihu është në historinë e futbollit të Republikës së Kosovës! Dikur i imët me trup, flokëverdhi Salihu është në historinë e kampionatit të pavarur! Përse?
Është shënuesi i parë i ndeshjes së parë Flamurtari – Prishtina. Me 13 shtator të vitit 1991, në stadiumin e Flamurtarit të Prishtinës, “flamurtarët” e mposhtën Prishtinën me rezultat 3:2, ndërsa Salihu shënoi golin e parë në kampionat pikërisht në minutën e 17-të.
Kjo është zyrtare edhe në FFK!
E dyta, Salihu i takon epokës së Prishtinës së vitit 1991 kur me kapitenin Arbnor Morina dhe kryetrajnerin Ajet Shosholli, të gjithë futbollistët shqiptarë, me përjashtim të njërit, i thanë jo garave ish Jugosllave dhe me klubet serbe. Salihu u ftua i pari nga masat e dhunshme serbe, por nuk pranoi të nënshkruajë po ashtu edhe lojtarët tjerë shqiptarë!
E treta, Salihu dhe Arkani. Në nëntorin e vitit të kaluar, Salihu për gazetën zvicerane ‘Neue Zürcher Zeitung’, kishte deklaruar se ka pasur mesazh nga krimineli i luftës, Zhelko Razhnjatoviq, por e kishte refuzuar ofertën e tij !
“Ai më kishte kërkuar që të luaj për Prishtinën. Por unë i thash vetes, nuk do të luaj kurrë për të. E dija që çfarë krimineli ishte Arkani. Pas luftës, përkatësisht në janar të vitit 2000 ai ishte vrarë në Beograd” deklaroi Salihu.
Krimineli Arkan në vitin 1992 bëhet kryetar i Prishtinës fantome, kryesisht klub që përbëhej me serbë, aty këtu ndonjë malazez, boshnjak e ashkali, ndërsa Prishtina orgjinale dhe e shqiptarëve luante në Çamërli. Eroll Salihu sot është sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe emri më i përfolur.