Turqia do të përgatisë një projekt-ligj për të kontrolluar platformat e mediave sociale ose për t’i mbyllur ato dhe lajmin e ka dhënë vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Kreu i shtetit turk u shpreh se familja e tij ishte fyer në internet. Më herët, dhëndri i Erdoganit, ministri i Financave Berat Albayrak, njoftoi përmes Twitter se kishte lindur fëmija i tij i katërt, por pas kësaj, e shoqja Esra u fye nga disa ndjekës, që më pas u arrestuan.
Erdogan njoftoi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim do të paraqesë një projekt-ligj për të kontrolluar përdorimin e mediave sociale, duke shtuar se një rritje e “akteve imorale” viteve të fundit është pasojë e mungesës së rregullave.”Këto platforma nuk i përshtaten këtij kombi. Ne duam t’i mbyllim, t’i kontrollojmë ato duke sjellë një projekt-ligj në parlament sa më shpejt të jetë e mundur”, ishte deklarata e tij.
Erdogani shtoi se kompanitë e mediave sociale do të detyrohen të emërojnë përfaqësues në Turqi, për t’iu përgjigjur kërkesave ligjore, të cilat sipas tij, aktualisht janë injoruar. Muajin e kaluar, Ankaraja e kritikoi ashpër Twitter-in për pezullimin e më shumë se 7,000 llogarive që mbështesnin presidentin Erdogan, duke thënë se kompania po njollos qeverinë.
Burimi: top-channel.tv