Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku justifikon qëndrimet e Presidentit Meta dhe i jep të drejtë që nuk pranoi betimin e Arta Vorpsit si e zgjedhur automatikisht nga mekanizmi zhbllokues.
Në opinionin e Venecias thuhet se “Presidenti e pezulloi procesin në mënyrë të njëanshme, por në mungesë të boshllëkut ligjor që ndodhi me Gjykatën Kushtetuese, mekanizmi zhbllokues nuk do ishte i zbatueshëm.
Është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht”. Duke analizuar precedentin e krijuar raporti thotë se përmes aktit të tij të 5 nëntorit 2019,presidenti pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj.
Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Raporti detajon me tej se në bazë të një interpretimi të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti.
Në lidhje me procedurën e betimit, Komisioni i Venecias thekson se sipas Kushtetutës së Shqipërisë, betimi para presidentit është i detyrueshëm dhe parakusht për të marrë detyrën. Në lidhje me rolin e KED, Venecia thekson se kreu Adrian Dvorani shkaktoi një incident të rëndë procedurial me listat e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese si dhe u bë shkaktar i përplasjes mes Kuvendit e Presidentit.
“Çështja më problematike e shkaktuar nga vendimet e KED-së në vitin 2019 në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me kohën e përcjelljes së listave të renditjes së kandidatëve tek Presidenti dhe Kuvendi. KED formoi katër lista të kandidatëve më 21.09.2019; ai më pas i dërgoi Presidentit dy lista më 08.10.2019 dhe dy lista në Kuvend më 14.10.2019. Kjo shkaktoi një incident të rëndë procedurial”,- theksohet në raportin e Venecias. Kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por është pasojë e ndërveprimit të disa faktorëve dhe sipas Venecias do ishte më mirë që gjyqtarët të betoheshin tek Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, por duke qenë se nuk ka një të tillë momentalisht në Shqipëri, kthehet në luftë midis dy institucioneve Presidencës dhe Kuvendit. Komisioni i Venecias thekson ne konkluzionet e tij se Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të rivendosë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë sa më shpejt të jetë e mundur, madje edhe më shumë në një kohë në të cilën pyetje shumë komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e punëve publike në Shqipëri paraqesin veten e tyre. Për të kapërcyer këtë krizë, dialogu ndërinstitucional konstruktiv dhe bashkëpunimin mund të zgjidhet kjo situatë dhe të ngrihet Gjykata Kushtetuese”.
Burimi: top-channel.tv