Ka mbërritur në gjykatë 26-vjeçari Marash Arraj i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, Lazer Arraj në fshatin Shosh të Dukagjinit. “Arrest me burg” me afat 40 ditë ka qenë masa për Marash Arra, i dyshuar si autor i vrasjes së kushëririt të tij Lazer Arra. Vendimi u dha nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër. Eshtë vetë prokurorja e çeshtjes Esmeralda Ndoci ajo e cila kërkoi këtë masë sigurie me afat për të pritur aktet e ekspertimit të rrobave dhe prova të tjera plotësuese. Në sallën e gjyqit i dyshuari nuk ka pranuar akuzat ndaj tij duke thene se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen. Si u zbulua vrasja? Prej mesditës së të hënës (21 tetor) kur u njoftua vrasja e 55-vjeçarit, forca të shumta policie dhe ato të FNSH zbarkuan me kontrolle në zona, ku bënë shoqërimin e disa të afërmve të viktimës dhe nisën marrjen e tyre në pyetje. Të dhënat kontradiktore që fillimisht i kanë dhënë policisë, thuhet nga burimet, kanë ndihmuar të shkohet deri tek identifikimi i autorit. Dy herë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimës, ndërsa ai po largohej nga fshati për tu kthyer në Shkodër, ku jetonte prej vitesh me familjen. Motivi i vrasjes dyshohet se është një konflikt mes dy familjeve, por nuk përjashtohen as pista të tjera. Ndaj 26-vjeçarit të arrestuar rëndojnë dy akuza “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.