Drejtuesit e KOK-ut pritën kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli

0
Gjigandi

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë pritur sot kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari Veseli vizitoi KOK-un për t’u interesuar për gjendjen e komunitetit të sportit në kohën e pandemisë së koronavirusit Covid 19.

Presidenti Hasani, duke shprehur konsideratën e lartë për vizitën e kryetarit Veseli, e njoftoi me gjendjen dhe brengat momentale të sportistëve, të cilët po mundohen të mbajnë formën duke stërvitur në shtëpi.

“Ekipi i xhudos është izoluar në sallën stërvitëse, ndërsa sportistët tjerë si: mundësit, boksierët, karateistët, atletët etj, po stërvitin sipas mundësive në shtëpi. Pasi të kalojë kjo pandemi, duhet të gjithë së bashku t’ju ndihmojmë, në mënyrë që ata të mendojnë vetëm për përgatitje për të mbajtur formën dhe jo për nga ana financiare”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

I pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë e njoftoi ish-kryeparlamentarin Veseli me gjashtë normat Olimpike, pesë prej të cilave vijnë nga xhudo dhe një nga mundja.

RonaTyra

Miratimi i Ligjit për Sponsoritim ishte një nga çështjet e diskutuara, për çka presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, vlerësuan lart kontributin e Veselit në angazhimin e tij për miratimin e këtij Ligji, me shpresën se në të ardhmen do të bëhen ndryshime që shkojnë në të mirë të sportit.

Nga ana e tij, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, duke përgëzuar presidentin Hasani, për hapat e marrë që nga vitet e 90-ta dhe sukseset e arritura si Lëvizje Olimpike, tha se pasojat e kësaj pandemie do të jenë të rënda edhe për sportin, por që përkrahja e shtetit duhet të jetë si inkurajim për të vazhduar me aktivitete.

“Falë pakos ekonomike që kemi propozuar, por edhe nëpërmjet zbatimit të ligjit për sponsorizimet që kemi miratuar vjet, ne do ia dalim ta rimëkëmbim sportin tonë. Kërcënimi që na ka ardhur nga kjo pandemi, ka nxjerrë në pah edhe më shumë rëndësinë e promovimit e masivizimit të sportit nga institucionet, për të pasur një popullësi sa më të shëndetshme e me imunitet të lartë”, theksoi ndër të tjera Veseli.

Aktivitetet sportive në Kosovë janë ndalur që prej 13 marsit me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu