Projektligji për tatimin mbi të ardhurat për të vetëpunësuarit ka tejkaluar afatet e përcaktuara nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
“Jemi të bindur të forcojmë masat për formalizimin e tregut të punës, ndaj nga 1 qershori do të paraqesim edhe Projektligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, që do të targetojë profesionet e lira” – shkruante në rrjetin social Facebook Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një raportimi për Njësinë Speciale Antiinformalitet, në 16 maj 2022.
Por ky afat u shkel dhe drafti është ende në tryezat e ekspertëve të Ministrisë, pasi variantet paraprake të tij ngjallën debat. Sipas autoriteteve, projektligji i ri synon të vendosë barazinë tatimore, që i mungon ligjit aktual. Ndërkohë, grupet e interesit e kundërshtojnë fort draftin, duke e cilësuar si antikushtetues.
Tashmë, projektligji është në kuadrin e konsultimeve me grupet e interesit, për t’u arritur një përfundim dhe për të kryer ndryshimet e nevojshme.
Më parë, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka nxjerrë rekomandimet konkrete për draftin dhe vonesat e deritanishme kanë vënë në diskutim efektshmërinë e procesit të konsultimit publik, i cili ka ardhur shumë më pas dhe me ritme të ngadalta.
Burime zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për Priza.al ka deklaruarse nuk ka mbaruar se hartuari ende ligjin.
“Në momentin që do të kemi draftin final, mund t’i themi”, u shprehën burime zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Zyrtarisht, sipas asaj që ka deklaruar Ministria, ky ligj synon të vendosë barazinë tatimore dhe të zgjidhë shmangiet, që kishin lindur për shkak të shtigjeve që mundësonte ligji i deritanishëm, duke iu referuar profesionistëve të lirë.
Kontabilistët e kontaktuar nga Priza.al shprehen se ky projektligj është i gabuar dhe jo kushtetues.
Deri më tani, i vetmi zë pro varianteve aktuale të draftit të ri të tatimit mbi të ardhurat është ai i FMN-së.
“Ne përgëzojmë nismën e ndërmarrë nga qeveria me mbështetjen e FMN-së, për forcimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që synon thjeshtimin, rritjen e efikasitetit dhe barazi më të madhe mes tatimpaguesve, të cilët fitojnë lloje të ndryshme të ardhurash. Përpjekjet e qeverisë për forcimin e administrimit të të ardhurave duhet të vijojnë pa asnjë vonesë”– shkruhet në deklaratën e FMN-së, të publikuar në 19 maj 2022.
Ndryshimet që pritet të marrin formën përfundimtare javët e ardhshme, hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit 2023./Priza.al
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*