Dhuna barbare e nuses ndaj vjehrrës në Berat, reagon policia

0
Gjigandi

Policia e Beratit ka reaguar për konfliktin mes nuses e vjehrrës në Dimal, ku kjo e fundit ka marrë dëmtime të rënda në organet e brendshme.

Mësohet se Marjana Çinari nuk ka pranuar të depozitojë kallëzim ndërsa nusja e saj Elena Çinari është akomoduar në Qendrën Sociale Poshnje, së bashku me dy fëmijët e saj të mitur.

Siç shpjegon policia, Marjana Çinari ka pasur urdhër-mbrojtje.

Njoftimi i policisë:

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat

RonaTyra

Në lidhje me deklaratën në media nga shtetasja M. Ç., përmes së cilës ajo ka pretenduar se është dhunuar fizikisht nga shtetasja E. Ç. (bashkëshortja e djalit të saj), ju bëjmë me dije se:

Më datë 06.10.2022, rreth orës 08:30, është paraqitur në Stacionin e Policisë Dimal, shtetasja M. Ç., e cila ka kërkuar nga punonjësit e Policisë që të largojnë nga banesa e përbashkët, bashkëshorten e djalit të saj. Në përmbushje të detyrave funksionale, efektivët e Stacionit të Policisë Dimal i kanë shpjeguar shtetases M. Ç., se për përmbushjen e kësaj kërkese nuk mund të procedohej pa vendim gjykate. Gjithashtu, efektivët i kanë shpjeguar shtetases M. Ç. se për pretendimet që kishte, mund të depozitonte një kallëzim penal. Shtetasja M. Ç. nuk ka pranuar të depozitojë kallëzim dhe është larguar nga ambientet e Komisariatit.

Në vijim, po më datë 06.10.2022, rreth orës 13:45, kemi marrë njoftim se shtetaset M. Ç. dhe E. Ç. janë konfliktuar me njëra-tjetrën. Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes dhe kanë gjetur në banesë shtetasen M. Ç., e cila ka pretenduar se është dhunuar fizikisht nga shtetasja E. Ç. (bashkëshortja e djalit të saj) që nuk ndodhej në banesë në momentin e mbërritjes së shërbimeve.

Shtetasja M. Ç., pas pretendimit se nuk ndihej mirë, është transportuar për në Spitalin Rajonal Berat, ku mjekët kanë deklaruar se kjo shtetase nuk ka shenja të dukshme dhune dhe për ekspertizë mjekësore më të specializuar, e kanë transportuar shtetasen M. Ç. për në Spitalin e Traumës Tiranë. Në kuadër të veprimeve policore për këtë rast, specialistët e Hetimit të Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Dimal, shtetasen E. Ç., ndaj së cilës ka nisur procedimi për veprën penale “Dhuna në familje”, si dhe është plotësuar nga SPZ-ja, Urdhri i Mbrojtjes së Menjëhershme, në favor të shtetases M. Ç.

Më datë 07.10.2022, shërbimet e Policisë kanë administruar deklaratën e shtetases E. Ç., e cila ka pretenduar se për shkak të konfliktit me shtetasen M. Ç. (nëna e bashkëshortit të saj), është dhunuar psikologjikisht dhe është kanosur nga bashkëshorti i saj, shtetasi E. Ç. Për këto pretendime, shtetasja E. Ç. nuk ka dashur të depozitojë një kallëzim penal. Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e kësaj familjeje, me qëllim parandalimin e agravimit të konfliktit. Duke qënë se shtetasja E. Ç. ka pretenduar sërish se është shqetësuar nga familjarë të shtetases M. Ç., shtetasja E. Ç. është akomoduar në Qendrën Sociale Poshnje, së bashku me dy fëmijët e saj të mitur.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat janë të angazhuara maksimalisht për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të zbatuar me korrektësi ligjin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu