Detaje tronditëse/ Kur i “tmerrëshmi” i Beratit i drejtohej mjekes: Doktoreshë, a më bën mua ai syri yt?

0
Gjigandi

Pasazh nga libri “Altin Dardha”, i gazetarit Ferdinand Dervishi

– Doktoreshë, më bën mua ai syri yt i majtë?

E paralizuar nga pyetja, që shoqërohej nga vështrimi i akullt i Altin Dardhës, okulistja më e njohur në qytet, zgjedh të heshtë. Për disa çaste tmerrësisht të zgjatura mendja e saj nuk e ndante dot nëse klienti e kishte me shaka apo seriozisht.

Altin Dardha duket e vuante së tepërmi humbjen e njërit sy. Por tashmë kohërat kishin ndryshuar. Atij i kishte ardhur radha. Tashmë ai nuk fshihej ferrave prej policisë. Tashmë ai ishte praktikisht Mbreti i Beratit.

Duket, në të tilla situata, mendjes njerëzore i shpëton ndonjë ëndërr drejt mundësisë së realizimit. Dhe, duket, kryeëndrra e lejuar e Altin Dardhës ishte që ai të kishte sërish syrin e humbur. Nuk është çudi që ai të ketë dëgjuar diku për transplantimin e kornesë. Nuk është çudi që dikush ti ketë thënë se duhej gjetur një dhurues.

Sigurisht që dhuruesin Altin Dardha do kërkonte ta gjente sipas mënyrës së vet. Ishin kohëra kur ai po kalonte nëpër duar “pjesë këmbimi” njerëzore me shumicë, që në këtë rast mund të hynin në punë. E gjitha kjo ka një bazë të vërtetë, pasi në Berat ka bollshëm dëshmi që thonë se ai u ndalte Cadillac-un te këmbët udhëtarëve të ndryshëm duke i parë në kokërr të syrit e duke i marrë në pyetje:

– Ore, ngjan ky syri yt me timin?

Ishte një sjellje, vijimin e së cilës, në këto kohëra, shumëkush ja linte imagjinatës. Një imagjinatë që u thoshte se Altini, me të gjetur njeriun që do të kishte sy të ngjashëm me të tijtë, do ta vriste dhe me majën e një thike do ja gërryente, me qëllim transplantimin. Kulmin historia e arrin kur Altin Dardha pyet, për ngjashmërinë e syrit, edhe okulisten tek e cila kryente vizitat periodike.

Edhe pse deri këtu gjithçka mund të ketë pasur për synim vetëm zbavitjen, historia thotë se Altin Dardha e ka vrarë një njeri për syrin e humbur. Ngjarja la shenjë në kohë më 8 qershor 1997.

Atë ditë spiunët e shumtë ja kishin bërë zgjimin herët. Në tregun e Beratit, kishin zbritur, që pa gdhirë, djemtë e atij fshatarit nga Plashniku, i cili dy vite më parë, në janar 1995, e kishte qëlluar me një armë gjahu duke e plagosur. Altin Dardha bëhet keq. Dy vëllezërit i gjen ende në treg, duke u munduar të shisnin ca perime të stinës. Gjatë muajve pa shtet të vitit 1997, uria detyroi shumëkënd të dilte nga “shtrofulla” për të siguruar jetesën, qoftë duke rrezikuar jetën.

Nën kërcënimin e kallashnikovit Altini i merr të dy vëllezërit në makinë dhe, pa u thënë asnjë fjalë, i çon në ullishtën përmbi varrezat e Burdulliasit. Këtu ai i zbret dhe u shpjegon përse i ka marrë. Në fund u thotë:

– Vetëm njëri nga ju do ta paguajë. Zgjidheni me njëri – tjetrin se cili do vazhdojë të jetojë.

Pak më tej, dy vëllezërit mblidhen kokë më kokë. Ata duhej të bënin një bisedë të fundit. Një bisedë nga ku duhet të dilte një vendim i vështirë. Një bisedë, rezultati i së cilës duhet të ishte vendimi i përbashkët për të dënuar me vdekje njërin prej tyre…

Për habi biseda mes të dyve nuk zgjat shumë. Mbase vetë rrethanat, Altin Dardha që u dukej nervoz në pritjen e tij, kishin diktuar marrjen e një vendimi të shpejtë. Vëllezërit kishin rënë dakord: duhet të jetonte ai më i vogli në moshë. Kështu edhe bëhet. Altini heq mënjanë dhe vret vetëm Pëllumb Çaushin, djalin 34-vjeçar të Gani Çaushit, fshatarit nga Plashniku, i cili dy vite më parë guxoi të qëllonte mbi grabitësit që nuk i njihte.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu