Pasarela e Beçishtit e ndërtuar në kohën e Ali Pashës, që lidh qytetin e Tepelenës me të paktën 7 fshatra të krahinës në anën tjetër të Vjosës ka dëmtime serioze dhe paraqet rrezik për kalimtarët.
Njëra prej këmbëve të saj ka filluar çarjen prej erozionit të Vjosës vite më parë ndërsa shtrati i urës është i mbuluar me dërrasa të kalbura ose të thyera.Të paktën 15 fëmijë nga fshati Beçisht e përshkojnë urën historike çdo ditë për të shkuar në kopsht ose në shkollë.
Banorët e Beçishtit thonë se mbyllja e shkollës fillore në fshat plus problemeve të rrugës po kthehen në një shqetësim madhor për jetën në këtë zonë.
Pasarela një nyje kryesore zhvillimi për të gjithë zonën kërkon ndërhyrje emergjente pasi kërcënon seriozisht jetën e më shumë se 2000 kalimtarëve që e përshkojnë atë cdo ditë. Rreziku më tej lidhet me humbjen e një monumenti të rrallë të periudhës së Ali Pashës.
Pasarela e Beçishtit me gjatësi 250 m e ndarë në 5 segmente është ndër më të gjatat në Shqipëri. E ndërtuar në kohën e Ali Pashës ajo është restauruar në mënyrë të pjesshme të paktën tri herë deri tani por nuk ka pasur investime serioze apo mirëmbajtje periodike.