Ilir Daja është i fokusuar vetëm te puna me Skënderbeun dhe vëmendja e tij është e gjitha te ndeshja e radhës ndaj Luftëtarit. Trajneri i korçarëve nuk mendon aspak për të ardhmen ndërsa përpara sfidës ndaj bluzinjëve theksoi se bardhekuqtë shpresojnë ende te Europa dhe kërkojnë ta arrinë njëherë atë në fushë dhe më pas në Gjykatën Federale Zvicerane.
“Nuk jemi dorëzuar për Europën, janë tre javë kampionat. Duke i marrë ndeshjet një e nga një, mund të jemi në pozicionet që të çojnë në kupat e Europës”, tha fillimisht Daja, i cili foli edhe për problemet që ka çdo fund kampionati.
“Fundi i sezonit gjithmonë është problematik, sidomos këtë herë që është një vit i veçantë. Fillimisht i ishte tërmeti, pastaj pandemia që na la pa stërvitje. Këto problem shprehen edhe nga ekipet. Aspekti psikologjik ka ndikuar tek ne dhe te të gjitha ekipet”, shton trajneri i Skënderbeut, i cili korçarët i ka zgjedhjen e parë për të ardhmen.
“Zgjedhja është Skënderbeu, presim një përgjigje nga Gjykata Federale e Zvicrës. Normalisht do ishte një lajm i mirë, pasi Skënderbeu ka qenë lokomotiva e futbollit shqiptar në Europë, duke vendosur standarde sportive dhe financiare. Rikthimi i atij Skënderbeu të madh do të thotë shumë edhe për futbollin shqiptar, jo vetëm për atë korçar”, shprehet Daja.
Ndeshja e radhës, kundër Luftëtarit, merr vlerësimin maksimal: E kam ndjekur Luftëtarin në këto tre javë të fundit. Po përgatiten për sezonin e ardhshëm. Kanë djem të rinj dhe të talentuar. Duhet të jenë në qendër të vëmendjes nga mbrojtja jonë. U mungon eksperienca, pasi cilësitë i kanë. Duhet t’i vlerësojmë maksimalisht, që të marrim tre pikë të tjera pas fitores me Vllazninë. Skuadra jonë duhet të tregojë kujdes”.
Në lidhje me situatën në ekipin e Skënderbeut, Daja deklaron: “Kemi mungesa, Daja është me kartonë të verdhë. Kemi pasur disa lojtarë me probleme. Kemi punuar me modul tjetër, për t’i marrë maksimumin grupit të lojtarëve që kemi në dispozicion”.
A ka prodhuar kampionati verdiktet të drejta? Daja mendon kështu: “Ekipet kanë marrë atë që kanë dhënë në fushë. Kur ka edhe Juventusi luhatje, brenda 90 minutave, normal që edhe këtu do të ndodhë kur jemi një nivel krejt tjetër. Verdiktet janë të fushës, me gjithë problematikat e vogla. Ekipet kanë marrë atë që kanë merituar dhe investuar”.