Interi do të përballet nesër pasdite me Bolognën në sfidën e vlefshme për javën e 30 të kampionatit italian, ndërsa trajneri Antonio Conte shfrytëzoi konferencën e sotme për shtyp për të vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe për t’u bërë thirrje të tijve të tregohen të kujdesshëm.
“Bologna është një skuadër shumë e mirë, e stërvitur nga një trajner i zoti dhe jem të sigurt që do të jetë shumë e vështirë nesër. Ata kanë përgatitje shumë të mirë fizike dhe pëlqejnë ritmin e lartë ashtu si ne, por orari do ta bëjë gjithçka më të vështirë,. Duhet të luajmë me kujdes, pasi në fazën e parë fituam me shumë vështirësi dhe ua njohim mirë forcën kundërshtarëve”, u shpreh tekniku zikaltër.
Interi i këtij sezoni ka dërguar më shumë lojtarë te goli, ndërsa një tjetër tregues pozitiv është edhe fakti që në fitoren e fundit 6-0 ndaj Brescias, shënuan 6 futbollistë të ndryshëm. Conte vlerësoi këto të dhëna dhe e lidhi gjithçka me mënyrën e lojës që po aplikon te Interi.
“Shifrat janë një tregues i qartë që te Interi shënojnë të gjithë, pasi ne dërgojmë lojtarë të ndryshëm në zonën kundërshtare. Duhet të luajmë në grup, të mbrojmë të gjithë, por edhe të sulmojmë të gjithë. Fryt i kësaj pune, është edhe fakti që kanë shënuar futbollistë të ndryshëm”, tha Conte.
Për sfidën e nesërme Interi do të ketë në dispozicion edhe mesfushorin kroat Marcelo Brozovic, i cili ka lënë pas dëmtimin, ndërsa Conte pranoi se do të bëjë sërish ndryshime në formacion, për të përballuar intensitetin e ndeshjeve.
“Ndryshimet në formacion janë të domosdoshme, pasi ka lojtarë që kanë luajtur shumë minuta në dy ndeshjet e fundit dhe mund të rrezikojnë shumë nëse luajnë një tjetër ndeshje intensive. Nesër do të kemi në dispozicion edhe Brozovic, i cili është mirë fizikisht dhe gati për të luajtur. Është gjithmonë kënaqësi dhe luks të kesh sa më shumë futbollistë në dispozicion, pasi mund të bësh zgjedhjet e duhura për të fituar një ndeshje”, deklaroi Conte.