Ndonëse çmimet janë rritur me ritme të shpejta, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të mallrave të konsumit për një shportë mallrash, është ndër më të ulëtit në Evropë.
Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT rreth ndryshimit vjetor të matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars, inflacioni rezulton të jetë 5.7 për qind, më i ulët sesa mesatarja e Bashkimit Evropian prej 8 për qind.
Inflacioni në shtetet e Evropës është ndikuar ndjeshëm nga shtrenjtimi i energjisë dhe gazit, ndërsa në Shqipëri ndikimin kryesor në inflacion e luajnë çmimet e ushqimeve, për shkak të peshës së madhe që ato zënë në shpenzimet e një familjeje, me 42 për qind të totalit, nga 13 për qind që është mesatarja e vendeve të BE-së.
INSTAT raportoi se në vend rritja më e madhe e çmimeve prej 12.8 për qind vërehet në sektorin e transportit, i ndjekur nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me një rritje prej 9.3 për qind.
Në mars, inflacioni i matur nga INSTAT rezultoi po 5.7 për qind. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002 dhe është shumë më i lartë se objektivi i shënjestruar prej 3 për qind i Bankës së Shqipërisë.
Banka qëndrore, që si përgjegjësi kryesore ka ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në një përpjekje për të frenuar inflacionin, pak ditë më parë vendosi rritjen e normës bazë për herë të parë në një dekadë, duke e çuar në 1 për qind, nga niveli minimal historik prej 0.5 për qind që ishte deri tani. /Monitor/