“Çmendet” nafta, çmimi arrin rekordin e ri, po shitet me 258 lekë për litër/ Eksperti i ekonomisë…

0
“Çmendet” nafta, çmimi arrin rekordin e ri, po shitet me 258 lekë për litër/ Eksperti i ekonomisë…
Gjigandi

Rritja e çmimeve po zbraz xhepat e qytetarëve dhe po mbush arkën e shtetit. Në muajin maj, referuar Instat, çmimet për produktet e shportës kanë njohur një rritje në vlera dyshifrore, ndërsa janë rritur me shpejtësi edhe të ardhurat në buxhet janë rritur me shpejtësi.

Në 4-mujorin e parë janë arkëtuar 30 miliardë lekë më shumë ose rreth 300 milionë dollarë, por sipas ekspertit të ekonomisë, Klodian Muço, këto të ardhura nuk e kanë burimin në rritjen e konsumit apo të importit, por janë si pasojë e rritjes së çmimeve. “Janë kryesisht arkëtim i TVSH-së, që në të tilla kushte i duhet kthyer qytetarit. Qeveria po rrit të ardhurat në kurriz të qytetarëve dhe këta të fundit sot ndodhen në një situatë të vështirë e vijojnë të varfërohen më tepër, ndaj minimum që kjo qeveri mund të bëjë është t’i kthejë këto para mbrapsht te qytetarët”, thotë Muço.

Prej muajsh, vendi po përballet me valën e rritjes së çmimeve të shkaktuar sa prej krizës energjetike, aq edhe prej konfliktit në Ukrainë. Referuar raportit të fundit të Instat për muajin maj, inflacioni ka arritur 6.7 për qind, ndërsa vihet në dukje rritja që kanë pësuar produktet e shportës. Cili është komenti juaj dhe si e shihni situatën në perspektivë?

Rritja e çmimeve ka filluar prej muajit shtator të 2021 dhe perspektivat në nivel global paralajmëronin një rritje të çmimeve edhe përgjatë këtij viti. Sigurisht që kriza energjetike fillimisht e në vijim lufta në Ukrainë shkaktoi këtë rritje të ndjeshme të çmimeve në tërësi, një tendencë kjo që do të vijojë edhe përgjatë muajve në vijim, pasi projeksionet e ndryshme në nivel global, por edhe kombëtar, diktojnë rritje të çmimeve edhe përgjatë vitit 2023. Në të tilla kushte duhen marrë masa konkrete për të zgjidhur apo kontribuar në zbutjen e krizës. Sot në vend janë rreth 640 mijë qytetarë që jetojnë me më pak se 5.4 dollarë në ditë, e që sipas Bankës Botërore, para se të ndodhte kjo rritje çmimesh, konsideroheshin varfëri ekstreme. Duke marrë në konsideratë shpenzimet mesatare për familje, tani që produktet e shportës së konsumimit janë rritur me 15 apo 20 për qind, duhen 6 apo 7 mijë lekë të reja më tepër për të ruajtur të njëjtin standard jetese si atë të vitit të kaluar. Jemi në kushtet kur varfëria ekstreme është rritur edhe më tej dhe po reduktohet në mënyrë të ndjeshme konsumi.

Mendoni që në këto kushte ku ndodhemi është e udhës ndërhyrja dhe ku i shihni ju të përshtatshme, përmes cilave instrumente?

RonaTyra

Në këtë pikë ku ndodhemi është urgjente ndërhyrja e menjëhershme për mbështetjen e konsumatorëve shqiptarë dhe mbështetjen e biznesit pasi edhe bizneset po përballen me reduktim të shitjeve, një pjesë e tyre po ashtu po përballen me rritjen e çmimit të naftës dhe po gjenden gjithnjë e më tepër në vështirësi. Sa i takon pyetjes se cilat janë instrumentet e nevojshme, në 4-mujorin e parë të ardhurat ishin plus 30 miliardë lekë apo rreth 260 milionë euro më shumë. Këto para nuk kanë ardhur si pasojë e rritjes së shitjes apo të rritjes së importeve, por kanë ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve. Pra, janë kryesisht arkëtim i TVSH-së, në të tilla kushte duhen kthyer qytetarit. Qeveria po rrit të ardhurat në kurriz të qytetarëve dhe këta të fundit sot ndodhen në një situatë të vështirë e vijojnë të varfërohen më tepër. E ritheksoj, këto para duhen kthyer mbrapsht, është minimum që kjo qeveri mund të bëjë. Aspekti i dytë është që siç iu kërkohet qytetarëve të reduktojnë shpenzimet e tepërta apo të shohin si të përdorin më pak makinën etj., duhet që të njëjtën gjë të bëjë edhe qeveria. Paratë e kursyera edhe në këtë rast duhet sërish t’u shpërndahen qytetarëve.

Çmimet e larta rëndojnë mbi qytetarët, a duhet të ketë politika të reja mbështetëse të drejtpërdrejta, në kushtet kur paketa e rezistencës është konsideruar e pamjaftueshme. Kujtojmë këtu që edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore Shqipëria është renditur e fundit në rajon për mbështetjen e ofruar.

Paketa e rezistencës nuk mund të konsiderohet një paketë mbështetëse, pasi pjesa dërrmuese e saj ishte parashikuar që në buxhetin e 2022. Duket si një tallje në vetvete. Çfarë është paketa e rezistencës, ajo që ka një rritje për pensionet me 300 lekë në muaj? Ne e dimë se sa është rritur çmimi i vajit, çmimi i sheqerit, çmimi i bukës me 25 për qind, çmimi i gjalpit me 50 për qind e kështu me radhë. Në të tilla kushte, kur të gjitha këto çmime janë në rritje, nuk mund të flasësh për paketë rezistence me 300 lekë më tepër apo për kompensimin në vlerën e 3 mijë lekëve për 3 muaj. Kjo është thjesht për të thënë që edhe ne bëmë diçka. Mjafton të shohim çfarë po bëjnë vendet fqinje. Kosova ka shpërndarë në mënyrë direkte 100 euro në muaj për familje, Greqia 300 euro në muaj për familje, Italia 250 euro për familje ekstra përveç heqjes së akcizës te nafta për reduktimin e çmimit. Këto janë paketa apo mbështetje direkte e konsumatorit dhe jo paketa e rezistencës.

Për t’u rikthyer te të ardhurat e arkëtuara në periudhën e parë të vitit, mendoni që duhet të adresohen për kategoritë në nevojë për përballimin e kësaj krize?

Sigurisht që duhen adresuar, pasi ato janë para që kanë dalë nga xhepat e qytetarëve. Kjo rritje e të ardhurave nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së shitjes apo rritjes së konsumit, por ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve. Janë 30 miliardë lekë mbi parashikimet e qeverisë. Këto para u duhen kthyer sidomos atyre në nevojë. Jemi në një situatë ku nuk diskutohen më të varfrit ekstremë. Në vështirësi janë vënë edhe familjet me të ardhura të mesme apo deri diku me të ardhura të larta, të cilat diskutojnë mbi pamundësinë e të bërit 7 ditë pushime. Nuk po arrijnë të kursejnë më, madje kanë prekur kursimet e muajve të kaluar. Situata nuk është aspak e mirë. Ne rrezikojmë të kemi dhe një valë të re emigratore, pasi qytetarët shqiptarë nuk po ia dalin dot dhe duket se në këtë situatë gjenden të vetëm, pa asnjë mbështetje konkrete.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu