Aleksander Ceferin ndërhyri për çështjen e rinovimit të Kylian Mbappe me Paris Saint Germain dhe nuk i kursen “shigjetat” për Florentino Perez, që flirtoi gati dy vite me yllin francez, por dështoi në fund përballë sheikëve nga Katari:
“As Real Madridi dhe askush tjetër nuk do t’i thotë UEFA-s se çfarë të bëjë. Ata janë të indinjuar nga një këndvështrim i caktuar, por, me sa di unë, oferta e tyre ishte e ngjashme me atë të PSG-së”.
Pas rinovimit të kampionit francez, fjalë për fjalë të mbuluar me ar nga parizienët, La Liga ka sulmuar ashpër presidencën e klubit nga Katari, duke e quajtur Nasser Al-Khelaifi “një rrezik për futbollin evropian”.
Në një deklaratë zyrtare, Javier Tebas e akuzoi atë për “shkelje të rregullave aktuale të kontrollit ekonomik të UEFA-s dhe Francës” dhe i ka etiketuar veprimet e tij si “një fyerje për futbollin”.
Ceferin, njeri shumë i afërt me Al-Khelaifi, nuk shqetësohet shumë në këtë drejtim, duke lënë të kuptohet qartë antagonizmin me Real Madridin: “UEFA ka rregulla mjaft të rrepta financiare. Ata që respektojnë rregullat tona janë të mirëpritur në garat tona, ata që nuk respektojnë rregullat jo.
E thashë shumë herë dhe e përsëris, ata duhet të gjejnë një arsye pse nuk duhet të jenë pronarë të një klubi evropian disa nga Lindja e Mesme apo disa nga Amerika. Pra, është saktësisht e njëjta situatë, unë jam shumë i lodhur nga këto akuza pa bazë konkrete”.