Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në zonën e Workington në Britani pasi është kapur brenda një ambienti të përshtatur për rritjen e kanabisit.
Sipas mediave britanike ky është plantacioni i dytë i zbuluar në zonë në harkun kohor prej një jave, pasi ditë më parë u arrestuan 4 persona përgjegjës për mbi 200 bimë narkotike me vlerë rreth 400 mijë paundë.
I riu i identifikuar si Din Truni ishte përgjegjësi i vetëm i ambientit, teksa brenda shtëpisë ishin vendosur të gjitha pajisjet e nevojshme për rritjen e bimëve si ngrohëse, drita dhe pleh kimik.
Brenda shtëpisë u gjetën dhe sekuestruan rreth 200 bimë kanabis me vlerë në rrugë nga 56 mijë deri në 177 mijë paundë.
Truni i tregoi gjykatës se kishte arritur në Britani para dy muajsh me anë të një gomoneje dhe se gjatë udhëtimit kishte humbur gjithçka, gjë që sipas tij e shtyu të pranonte të kultivonte kanabisin.
Sakaq, 20-vjeçari është dënuar me 8 muaj burg për rolin e tij në veprimtarinë e drogës dhe rrezikon kthimin në Shqipëri pas vuajtjes së dënimit.