Sot në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi i një të moshuare nga Radhima e Vlorës. Nëna e tetë fëmijëve, Hava Mustafa rrëfen një ngjarje e cila iu ka ndodhur 13 vite më parë. Në vitin 2006 ajo bashkë me burrin i dhanë borxh 20 milionë lekë të vjetra, vëllait të nuses së djalit të tyre. Asokohe prindërit tregojnë se paratë iu dhanë dorazi me mirëbesim. Personi që i mori u premtoi se do t’ia kthente për një vit, por kjo nuk ndodhi. Ai nuk ja ktheu për shumë vite, ndaj çifti i të moshuarve rrëfen se ndodhur në një situatë të tillë ata së bashku me personin iu drejtuan noterit. Nëpërmjet një deklarate noteriale në vitin 2011 ai pranoi zyrtarisht se i ka marrë paratë borxh. Por pas kësaj situate personi u zhduk dhe ende sot e kësaj dite paratë nuk i janë kthyer të moshuarve. 69-vjeçarja rrëfen se iu drejtua Gjykatës së Vlorës. Kjo e fundit nëpërmjet një vendimi i dha të drejtë të moshuarve por personi që mori paratë iu drejtua Apelit, i cili ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Ndodhur në të tilla rrethana, të moshuarit bëjnë apel për drejtësi pasi kanë kaluar 13 vjet dhe këta të fundit ende nuk kanë marrë paratë. Ata kërkojnë ballafaqim në studio me vëllain e nuses së djalit i cili është zhdukur pa lënë gjurmë. “Unë se dija se do ndodhnin këto gjëra, u zhgënjyem. Ia dhamë lekët dajës së fëmijëve, kunatit të djalit. Ai na dha një arsye pse i donte lekët, ne i besuam e dinim siç ishte nusja e djalit, familje e mirë e njerëz të mirë. Nusja e djalit nuk di asgjë, nuk kam si t’i bie në qafë asaj. Djali im më tha: ‘pse i dhe lekë?’. Ai ishte kundër kësaj gjëje. Edhe sot e kësaj dite nuk i kam thënë asnjë fjalë asaj vajze se isha unë që e vendosa. Kujtoja për 2 milionë të vjetra në fillim. Burri më tha që meqënëse i dhamë fjalën i japim. Ai na dha fjalën që për 2 vite do të na i kthente. Ai pas 1 viti na dha vetëm 1 milion lekë të vjetra. Burri i kërkoi të bënin një noteri bashkë, pasi e pamë se ai nuk ishte në gjendje të na jepte lekët”, tregoi ajo. Në studio ka ardhur edhe zëri i vetë borxhliut, i cili ka deklaruar se do e kthej por se prej vitesh ka pasur probleme të shumta. “Dihen vështirësitë. Borxhi është borxh dhe do ta kthej. E kam marrë tek një mik i mirë, e konsideroj sërish mik të mirë. Para 3 vjetësh kemi bërë një garanci me një avokat. Deri në dhjetor më ka lënë afat për t’i kthyer borxhin. Kam folur me djemtë e saj që kanë ardhur në Itali e kanë parë gjendjen time dhe e kemi lënë me çunat që sa të mundem do i dërgoj. Unë jam duke e realizuar këtë, avash-avash, me ndihmën e Zotit. Më vjen keq që kanë ardhur aty. Unë nuk kam asgjë të keqe me ta. U jam shumë borxhli dhe sikur tua kthej do u jem borxhli. Janë njerëz shumë të mirë. Deri në muajin dhjetor kam afat, mos më kërko të përsëris se më vjen shumë keq. Nuk është e vërtetë që se kam hapur telefonin”, u shpreh burri nga Italia. Por 69-vjeçarja e akuzoi se e ka mashtruar dhe se nuk do të lërë fëmijët me sherr. “Më ke mashtruar. Gjithë këto 13 vite nuk m’i ktheve, t’i dhashë lekët si fëmijës tim. Nuk ke për të m’i dhënë më ato lekë. S’më kanë borxh fëmijët t’i lë në sherr me njerëz”, u shpreh Havaja. Sërish borxhliu tha se do i kthej të gjitha paratë por se do kohë. “Havaja ka të drejtë të revoltohet, por nuk kam asnjë sherr me ta. S’kam pasur mundësi t’i kthejë lekët. Do i kthej të gjitha një për një, nuk diskutohet. Kam pasur shumë vështirësi në fillim dhe s’kam mundur dot të siguroj bukën e gojës. Kjo është arsyeja që s’jepja dot borxhin”, u shpreh ai. Në bisedë ka ndërhyrë edhe avokati i emisionit “Me zemër të hapur”, Idajet Beqiri. Ai tha se të moshuarit duhet të kishin bërë kallëzim por nuk e kanë bërë për shkak të lidhjeve familjare. Mes Beqirit dhe borxhliut ka pasur një debat të ashpër ‘live’, ndërsa borxhliu i kërkonte që të mos i hidhte benzinë zjarrit. Avokat Idajet Beqiri: Këta duhet të bënin kallëzim penal për ty dhe ti do merrje më e pakta 3 vite burg. Pse po e bën apelimin ti? Po e bën që ta shtysh dhe disa vite kthimin e borxhit. Borxhliu: Unë skam thënë asnjëherë që s’do i jap ato lekët Avokati: Ti deri më sot ke shirë se këta janë treguar njerëz. Detyrimin nuk e shmang dot. Nderin në pikëpamje e humbet. Ai borxh ty do të hajë jetën. Borxhliu: Hëngsh kokën tënde o avokat. O benzinë.