Kur Kristiano Ronaldo del në skenë, qoftë edhe emri i tij, është normale që e gjithë vëmendja të zhvendoset te portugezi. Dhe bomba e fundit vjen nga Spanja, me zë dhe me figurë: Manuel Rodrigez Sançez, ose siç njihet shkurtimisht, “Manolet”, gazetari i të përditshmes prestigjioze sportive “AS”, ka lëshuar bombën pasditen e djeshme:
“Çelsi ka bërë gati një ofertë prej 120 milionë eurosh për të rikthyer Kristiano Ronaldon në Premier Ligë”. Lajmi në fjalë mund të hapë skenarë vërtet të rëndësishëm në ditët në vazhdim, duke qenë se pas kësaj daljeje, pa dyshim që priten edhe risi në ditët e ardhshme, por për momentin asgjë më shumë se kaq.
Sigurisht, që duke parë manovrat e fundit që po ndodhin në radhët e bluve të Londrës, siç ishte edhe akordi me bomberin gjerman të Lajpcigut, Timo Verner, tregon se presidenti Roman Abramoviç ka vendosur ta hapë bindshëm thesin për të ndërtuar një skuadër shumë cilësore për sezonin e ardhshëm, por pa dyshim që kur bëhet fjalë për Kristiano Ronaldon, çdo emër tjetër kalon në rang të dytë, duke qenë se portugezi nuk është vetëm një kampion, ndonëse tashmë 35-vjeçar, por edhe një investim i rëndësishëm për marketingun në botë.
Ndaj, nuk është çudi që Çelsi me një blerje të këtij lloji kërkon që të bëjë një dopioinvestim. Shifra që prezumohet se Çelsi i ka vënë në “tavë” Juventusit është sigurisht shumë e rëndësishme, duke qenë se bardhezinjtë do të rifitonin të gjithë kapitalin e investuar dy vite më parë, për t’ia shkëputur luzitanin Realit të Madridit. Ndonëse të mendosh se Ronaldo do të linte Juventusin, për një klub si Çelsi, që sezonin e ardhshëm nuk e ka të sigurt as pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, duket disi e vështirë që CR7 të pranojë këtë destinacion.
Por, “Manolet” këmbëngul në shkrimin e tij për “AS” se oferta jo vetëm që është e vërtetë, por ndoshta skenari që do ta bënte të mundur rikthimin e Kristianos në Premier Ligë do të ishte ai më i bukuri për Juventusin: fitorja e Ligës së Kampioneve, kampionati dhe, pse jo, edhe Kupës së Italisë, dhe sigurisht që me tripletën në xhep, sulmuesi iberikas do të përshëndeste dhe do të shkruante me germa të arta emrin e tij në Torino, për një lamtumirë e cila do të ishte prej triumfatori, prej legjende të paharrueshme, në një prej klubeve më të mëdha të botës. Ndërkohë, priten risi në ditët e ardhshme…