Vetëm disa ditë më parë, Mario Mandzukic njoftoi lamtumirën e tij nga Al-Duhail, klubin e Katarit, me të cilin kishte nënshkruar vetëm në janar. Ish-sulmuesi i Juventusit, i cili u shit në merkaton e dimrit, tashmë mund të kthehet në Europë.
Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, interesi për nënkampionin e botës nuk mungon as në Serie A. Një emër surprizë është Interi. Zikaltrit janë në kërkim të lojtarëve me karakter dhe të mësuar të fitojnë. Profil i përsosur për këtë është kroati, që fitoi trofe me Bayern Munich dhe Juventus.
Përveç kësaj, Conte, me ardhjen e Mandzukic do të plotësonte një nevojë të ngutshme, të një zëvendësuesi për Lukaku, që kompenson edhe karakteristikat fizike të belgut. Giroud dhe Dzeko pëlqeheshin verën e kaluar, por ata kanë rënë poshtë si mundësi. Përveç kësaj, pozicioni i Sanchez do të rishqyrtohet me Manchester United. Kroati do të ishte një mundësi e mirë sportivisht, me parametra zero, për të forcuar sulmin zikaltër dhe shtuar një lider të sprovuar në grup.
Mandzukic është i lidhur gushtë me CEO e Interit, Giuseppe Marotta, të cilin e falënderoi publikisht në mesazhin e tij të lamtumirës nga Juventusi. Tani që është përsëri në treg, mund të bashkohet me ish-drejtorin, me një fanellë tjetër, jo më atë bardhezi.