Bashkëpunëtorët e UDB dhe Asfalisë, kur do hapet kutia e zezë?

0
Gjigandi

Nga Roland Qafoku

Më 21 tetor në parlament u miratua ligji i ri i hapjes së dosjeve. Tashmë çdokush mund të kërkojë, të hapë dhe shikojë një dosje që ka lidhje me të. Me këtë ligj, njëkohësisht shfuqizohet e gjithë veprimtaria e dy komisioneve të posaçme të pastërtisë së Figurave të drejtuara nga Hajri Mezini nga viti 1993 deri në vitin 1997 dhe ai i drejtuar nga Nafiz Bezhani nga viti 1997 deri në vitin 2002. Ligji është bërë për një person dhe duket qartë se ka një qëllim politik të pastër ndaj Ilir Metës. Prej muajsh debati në sferat më të larta politike ishte nëse Ilir Meta ka qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe nuk diskutohet në parim gjithëpërfshirës në mënyrë që klasa politike shqiptare të pastrohet nga një e kaluar që hyn në analet e historisë si pjesa që i ka shkaktuar pasojat më të rënda shoqërisë shqiptare. E kam shkruar dhe thënë me dhjetëra herë që nëse kjo rezulton e vërtetë Meta mban dhe duhet të mbajë përgjegjësinë e asaj që pretendon mazhoranca, por ama nëse kjo rezulton e pavërtetë, e inskenuar dhe falsifikuar siç pretendon vetë Meta, realisht jemi përpara një skandali me përmasa të mëdha. Në këto 32 vjet nuk rezulton të jetë kryer asnjë falsifikim dosjeje, ndërhyrjeje në dosje, apo tjetërsim të dosjes. Për shkak të mundësisë shkencore për të zbuluar çdo lloj falsifikimi, kjo ka qenë e pamundur praktikisht. Mirëpo të paktën nga ato që thotë vetë Ilir Meta dhe avokati i tij, ndërhyrja në këtë dosje është flagrante. Nëse vërtetohet kjo, kjo çështje nuk mund të kalojë lehtë dhe personi që e ka kryer këtë duhet doemos të shkojë para drejtësisë.

Megjithatë ajo që vihet re në të gjithë diskutimin për dosjet është fokusimi dhe ngushtimi i rrezes së verifikimit vetëm për çështjet e bashkëpunimit me Sigurimi i Shtetit, arma më egër që shërbeu si dhunë fizike e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj çdo kundërshtari dhe që i shkaktoi një dëm aq të madh popullit dhe shoqërisë saqë edhe pas 32 vjet nga rrëzimi i atij regjimi, pasojat ndjehen akoma.

Por ka një fakt tjetër që të bën të dyshosh dhe mendosh gjatë përse historia e dosjeve sekrete ka marrë kaq shumë kohë dhe nuk janë hapur. Ndërsa turravrapi për bashkëpunëtorët e Sigurimit është i madh, ai i bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja në dëm të Shqipërisë nuk përmendet fare. A e keni vënë re? Është si të rrëzohet një avion dhe të mos hapet kutia e zezë, e cila ka regjistruar të gjitha të dhënat e fluturimit dhe bisedat e pilotëve. Dhe duke mos hapur kutinë e zezë, nuk mund të mësohet kurrë përse u rrëzua avioni.

Sigurisht që bashkëpunëtorët e Sigurimit kanë qenë dhe mbeten pjesa më e keqe në të gjithë historinë e shoqërisë sonë. Kjo as nuk vihet në diskutim dhe as nuk vihet në peshore. Përveç viktimave që shkaktoi si në jetë njerëzish pwr edhe me burgime, internime dhe përndjekje, ai deformoi njeriun. Vëllai spiunoi vëllanë. Babai spiunoi të birin, fëmija spiunoi prindërit e të tjera janë çudira të pista që edhe sot shkaktojnë pasoja. Por të lësh mënjanë, apo në harresë, bashkëpunimin e atyre shqiptarëve që kishin lidhje me shërbimet sekrete të huaja, veçanërisht atë të Jugosllavisë dhe Greqisë në dëm të shtetit dhe kombit shqiptar është një dëm akoma më i madh që i bëhet kësaj çështje. Fakti është fakt: Që nga viti 1990 deri më sot nuk kemi asnjë shqiptar të zbuluar, të dënuar dhe të demaskuar që të rezultojë të ketë bashkëpunuar me këto dy shërbime që për shumë e shumë dekada kanë luajtur rol të hapur armik ndaj vendit tonë. Në librin e tij “Mëkatarë. Nëpër dosjet sekrete të Sigurimit të Shtetit”, autori Nafiz Bezhani shkruan se komisioni i drejtuar prej tij shqyrtoi 6 mijë zyrtarë dhe nga kjo figuruan të penalizuar 104 vetë. Por, ajo që i ka bërë më shumë përshtypje Bezhanit përveç atyre që ishin lidhur me Sigurimin e Shtetit, ishin shqiptarët e përfshirë në agjentura të huaja dhe që i kanë sjellë dëm real Shqipërisë. Në libër ai sjell ai sjell rastin më ekstrem të zbuluesit dhe kundër zbuluesit me pseudonimin “Kobra” në “Dosja 412” me turli informatorësh vullnetarë.

RonaTyra

Edhe më shumë vlerë merr kjo çështje enigmatike dhe e patrajtuar kur në një intervistë që unë i mora Sali Berishës më 18 janar 2016. Në cilësinë e ish-presidentit të Republikës në vitet 1992-1997 ai deklaroi se ishte e vërtetë ajo që në parlamentin serb në vitin 1991 Sllobodan Milosheviç i tha deputetit antishqiptar Vojislav Shesheli se shteti jugosllav i kishte dhënë shërbimit sekret serb 20 milionë dollarë për të destabilizuar Shqipërinë.

“Kjo është absolutisht e vërtetë. Unë kisha informacion edhe për personat që i kishin sjellë. Absolutisht të gjitha janë të faktuara. Çfarë ndodhi në vitin 1991? Sigurimi i Shtetit vendosi urat më të fuqishme me shërbimin serb. Ramiz Alia dhe Millosheviçi bënë gjithçka që të mbeten në pushtet si Gorbaçovët e Ballkanit. Ishte një moment jashtëzakonisht i vështirë kur agjentura serbe vërshonte në mbështetje të regjimit të Ramiz Alisë dhe po këto veprime bëheshin në Kosovë”.

Është një deklaratë që pavarësisht bujës së momentit si lajm scoop, nga instancat shtetërore ka kaluar si të flitej për një çështje rutinë ditore të politikës. Në fakt, deklarata e Berishës ishte mbështetje e një deklarate të bërë nga një figurë tjetër e rëndësishme shtetërore e asaj kohe. Kryeministri Vilson Ahmeti më kishte deklaruar në një intervistë që i mora më 23 nëntor 2015 se të gjitha shkatërrimet masive të kryera në periudhën 1991-1992 të cilat arritën të prishnin edhe furrat e bukës nëpër fshatra ishin kryer nga shërbimi sekret jugosllav. I pyetur nëse e konfirmonte se shteti jugosllav i kishte vënë në dispozicion UDB-së 20 milionë dollarë për destabilizimin e Shqipërisë, ish-kryeministri Ahmetaj u shpreh:

“Po, shërbimet e asaj kohe kishin edhe këto të dhëna. Serbët janë përpjekur që në mënyrë të rregullt të destabilizojnë Shqipërinë në çdo kohë. Dhe kjo ishte një situatë në të cilën ata kanë vepruar për ta destabilizuar Shqipërinë. Ne kishim të dhëna se ata nxisnin për të kryer shkatërrime masive. Populli ynë sapo kishe dalë nga një sistem diktatorial dhe zhgënjimi ishte i madh dhe kjo shfrytëzohej”.

Pra, dy personalitetet më të larta shtetërore të kohës kanë dhënë secili nga një deklaratë tronditëse dhe trishtuese njëkohësisht. Dhe në këtë histori nuk po përfshijmë aktivitetin e gjerë dhe bashkëpunimet e disa shqiptarëve me UDB-në edhe gjatë regjimit komunist. Ndërkohë për shërbimin sekret grek çështja është edhe më e komplikuar. Ngjarja e masakrës së Peshkëpisë më 10 prill 1994 kur u sulmua nga një komando e armatosur një kazermë me 130 ushtarë shqiptarë dhe si pasojë u vranë dy dhe u plagosën tre të tjerë, është vijimi i një veprimtarie të rëndë të këtij shërbimi që niste që gjatë kohës së regjimit komunist e deri ditët e sotme. Dhe në qendër të këtij aksioni dhe aksioneve të tjera kanë qëndruar shqiptarë që kanë shërbyer dhe bashkëpunuar me Asfali-në greke.

Pas kësaj panorama lindin disa pyetje mëse normale. Si ka mundësi që pavarësisht daljes mbi ujë të këtyre historive nuk ka ende një shqiptar të zbuluar, të hetuar dhe dënuar për këtë bashkëpunim në dëm të shtetit dhe kombit shqiptar. Si ka mundësi që nuk është bërë publik asnjë person që ka kryer veprimtari antishqiptare dhe antiligjore falë këtij bashkëpunimi? Dhe më e rënda është ka të dhëna se bashkëpunëtorët e këtyre dy shërbimeve kanë arritur të bëjnë karrierë dhe të kenë pozita edhe në sfera të rëndësishme të shtetit.

Po edhe sikur të mos kishin bërë karrierë, a mund të lihet i qetë një shqiptar që ka bashkëpunuar me një shërbim sekret armik dhe që i ka shkaktuar kaq shumë dëme Shqipërisë? Sigurisht që bashkëpunëtorët e Sigurimit të zbulohen të gjithë por zbulimi i kësaj kategorie është shumë herë më i rëndësishëm. Sigurimi i Shtetit ka dëmtuar shumë individët dhe kjo është plaga ende e hapur e shoqërisë sonë. Por ai shqiptar që ka dëmtuar shtetin shqiptar duke bashkëpunuar me shërbimin sekret të UDB-së dhe Asfalisë është 100 herë edhe më i dëmshëm. Ai ka dëmtuar shtetin dhe kombin. Parlamenti ynë edhe këtë herë harroi apo e anashkaloi këtë nuk dimë të themi. Por skandali vazhdon. Agjentët e këtyre dy shërbimeve dhe nëse janë gjallë kushedi se ku e bëjnë jetën te qetë. A do hapet një ditë kutia e zezë?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu