Dy fjalë për 25-vjetorin e Top Albania Radio, ëndrrës së Tanit dhe amaneti që vajzat po e çojnë në vend

0
Gjigandi

Elio Laze
Editor i Illyridium Media Group
Më 14 shkurt të vitit 1998 në një apartament tek bulevardi Zogu i Parë, diku pas dyqanit “Foto Rreli” lëshoi sinjalin Top Albania Radio.
Hyri në treg me energji, inovacion, ndryshe nga çdo radio e asaj kohe që transmetonte në Shqipëri.
Ditë pasi ishte hapur Top Albania Radio, pranë ish-parkut Rinia, im atë Luani takohet me Tanin. Dritan Hoxha, ai që u njoh si Tani i Topit. Isha edhe unë aty, sigurisht si çuni babit që e merrte me vete gjithandej nëpër takimet e veta.
E përgëzoi Luani për radion që kishte krijuar, i shprehu konsideratë dhe i tha që kishte bërë një radio që do e kishte zili edhe Europa.
Tani u “çlirua”. Kishte një natyrë sidomos ato fillim vitet e para në media, që e priste me ankth opinionin e njerëzve.
Menjëherë tregon që Top Albania, shpejt do ”harrohej” si inovacion pasi do merrte jetë një tjetër media. Këtë radhë televizion. Dhe do ta quante Top Channel. Tha që do ishte investimi më i madh jo vetëm në rajon por më gjerë. Më pas tregoi që do hapej dhe një gazete, komplet ndryshe nga ajo që prezantohej në tezgat shqiptare. Tregoi edhe për Digitalb-in që e kishte si projekt. O zot. Dëgjoja dy burra që flisnin dhe fantazoja. Si do ishin këto gjera?
Kaluan pak kohë dhe u hap Top Channel. 31 korrik 2001. Dritani realizoi vizionin e tij.
3 vite pas bisedës tek ish-Parku Rinia, Top Channel u krijua si një dritare që mahniti të madh e të vogël, brenda e jashtë vendit.
Më pas u themelua gazeta Shqip, Digitalb e kështu me radhë. Dritani s’do ndalej, nëse vdekja s’do e ndalte.
Krijoi pështjellim ikja pa kthim e tij. Shumë tentuan ta kafshojnë perandorinë, shumë të tjera ta dëmtojnë, plaçkisin, përdorin për interesat e veta e kështu me radhë.
Por pati një moment që prevaloi gjaku i Tanit që e kishte lënë të sigurt tek vajzat e tij.
Morën punën në kontroll dhe sot Top-i po i kthehet me mund e përpjekje shkëlqimit të dikurshëm.
Mungojnë sot në Shqipëri njerëz si Tani. Me vizion, energji dhe qartësi apsolute në të parin e gjërave që askush tjetër nuk i shihte dot.
25-vjetori i Top Albania Radio qoftë një simbolike që perandoria “TOP” të vijojë dhe dhjetra vite të tjera, pasi për një vend të vogël dhe të varfër si ne, ishte një dritare e vogël që na tregoi ditë pas dite se si ishte bota e madhe që ne shpejt do ta takonim…
RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu