Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të diel një takim me demokratët e Kamzës, i ka bërë një thirrje Edi Ramës.
Basha tha se i bën thirrje kryeministrit të vendit që të heqë dorë nga kërcënimi i prokurorëve të SPAK-ut, pavarësisht postit të tij.
Ai shtoi se largimin e kryeministrit Rama, nuk mund të ketë sukses hetimi, nuk mund të shkojë deri në fund çështja e incineratorëve.
Basha: Dhe dua ti bëj sonte, dua ti bëj sot një thirrje, këtu nga Kamza; hiq dorë nga kërcënimi i prokurorëve të SPAK-ut! Ta dëgjojë mirë këtë mesazh, dhe ta kuptojë që nuk ka gjë që s’merret vesh. Hiq dorë nga kërcënimi i prokurorëve të SPAK-ut! Por kjo është një arsye më shumë, se pse Edi Rama nuk mund të jetë më asnjë orë të vetme, kryeministër i Shqipërisë. Se dhe vetë procesi, i hetimit të vjedhjes së shekullit, nuk mund të shkojë në përfundimin që duhet të shkojë, për hir të atyre parave që janë buka e fëmijëve të shqiptarëve.
Janë pensionet e gjyshërve dhe gjysheve tona, janë spitalet e rrënuara, është sistemi arsimor në kolaps, është shpresa që vritet përditë, është Shqipëria që zbrazet. Pa largimin e këtij kryeministri, nuk mund të ketë sukses hetimi, nuk mund të shkojë deri në fund, nuk mund të shkojë deri aty ku duhet të shkojë. Pse? Sepse të gjitha provat faktojnë, që ky jo vetëm po e pengon hetimin, për të mbrojtur ata që tanimë kanë rënë në rrjetën e hetimit parlamentar të partisë demokratike. Por ky vetë po provohet si koka e aferës.