Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur sot mosbesues ndaj paketës së ndihmës me shtatë pika të prezantuar nga qeveria shqiptare për përballimin e rritjes së çmimeve.
Në një njoftim në Facebook, Basha ka thënë se qeveria ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në anën tjetër po programon më shumë taksa.
Sipas Bashës, qeveria do të kthejë taksën për biznesin e vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.
“[Kryeministri] Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim”, ka shtuar Basha.
Basha ka thënë gjithashtu se qeveria ka “parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje”.
“Zgjidhje ka. Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë”, ka theksuar Basha.
“Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind,” ka thënë kreu i PD-së.
“Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë”, ka shtuar Basha në fund të postimit.
/abc24.al/