Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk ka komentuar sot mundësinë e ri-kandidaturës së tij për kryetar të partisë.
Ai pas takimit me strukturat e PD-së në Shkodër, u pyet nga mediat nëse do të kandidojë serish për kryetar partie.
“Unë nuk jam këtu për veten, por jam për vlerat e PD dhe të demokratëve të Shkodrës”
, u përgjigj Basha.
Ai ndërkaq për takimet me strukturat e PD-së në Shkodër thotë se janë në funksion të bashkimit të partisë.
“Bashkimi duhet të bëhet rreth vlerave, e jo antivlerave”,
u shpreh Basha, duke shtuar se Partia Demokratike nuk mund të bëhet me non-grata.
“Partia Demokratike nuk bën dot përpara me non grata, propagandë dhe pa e parë të vërtetën në sy ashtu siç është. Më 6 mars ishte betejë mes vlerave dhe antivlerave, antivlerat mund të kenë triumfuar, bashkëpunimi i non-gratave mund të kenë fituar, blerja e votave mund të ketë qenë më e lehtë, por një gjë është e qartë që kështu nuk ecet përpara”, tha Basha.
Ndërsa, komentit të gazetarëve që “përflitet si kandidat për president”, Basha iu përgjigj:
“Nuk ka asnjë gënjeshtër që përpiqet të tërheqë vëmendjen nga të vërtetat e tjera”.