Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka kërkuar opozitës të bëhet bashkë me maxhorancën për të kërkuar anëtarësimin në BE. Në një fjalim në parlament, Balla tha se duhet të ketë një dakordësi për të lënë mënjanë axhendën politike kur vjen puna tek integrimi i vendit në BE dhe të flasin me një gjuhë. Ai kërkoi votat për të miratuar raportin e Këshillit tw Integrimit.
“Mendoj që ka ardhur koha të kërkojmë anëtarësimin e shpejt të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ajo që u diskutua në Versajë mes liderëve të BE-së që BP duhet të jetë hapi tjetër i zgjerimit, mendoj që ka ardhur koha që kjo gjë të marrë një rrugë të re. natyrshëm kur flitet për integrimin, agjendat politike të ditës duhet t’i lëmë mënjanë. Ndaj do të ishte mirë që diskutimi sot të fokusohej pikërisht tek momenti që jemi. Dua t’jua them mendimin tim, në lidhje me çfarë duhet dhe çfarë mund të bëjë me mirë BE me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne e dimë që për të mbyllur procesin e anëtarësimit, kërkohet plotësim i kritereve të Kopenhagenit. Unë nuk di që vende të caktuara brenda BE-së sot t’i kenë përmbushur ende kriteret e Kopenhagenit. Jam shumë dakord me shumë kolegë europianë që ka vende anëtare që ende nuk i kanë përmbushur. Sot BE më shumë se kurrë në gjithë historinë e vet.
Ne sot, por jo vetëm ne dhe 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet t’iu kërkojmë me një zë vendimmarrësve të BE-së sa i përket
aksesit të vendeve të Ballkanin Perëndimor në fondet e kohezionit social në fondet strukturore dhe në tregun e punës europian. Këto tre gjëra janë gjërat më të prekshme që mund të konkretizonin në mënyrë më të shpejtë atë që përfaqëson integrimi europian sot.
Ka ardhur koha që ne ta bëjmë rregull, sikurse e kanë shumë vende, ta bëjmë rregull me njeri-tjetrin, kur flasim me të huajt, të flasim mirë për Shqipërinë, se mendoj se kështu i bëjmë mirë vendit tonë. Ne duhet të flasim me zemër dhe dashuri për atdheun tonë në këtë përpjekje. A kemi arritur ne politikanët shqiptarë ta përmbushim aspiratën ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, nuk kemi arritur. Shumë të rinj dhe të reja nuk janë të kënaqur me çfarë kemi bërë, por do jenë dhe më të pakënaqur me sherrnajën.
Unë nuk dua të flas më për integrim, dua të flas për anëtarësim. Duhet datë për t’u anëtarësuar në BE. Nëse BE ka vënë sado pak mend nga ajo që ka ndodhur në Ukrainë dhe nëse BE do vërë mend, nëse konflikti larg qoftë do shtrihet dhe në Moldavi apo në Gjeorgji. Shumë këtu nuk e dinë, një copë e Moldavisë ka 30 vjet që është shkëputur nga Moldavia dhe është një aneks rus dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar ka mbyllur njërin sy”.