Tifozi i njohur shqiptar Ismail Morina është arrestuar mëngjesin e sotëm në Kukës. Lajmi është publikuar në profilin e tij në Facebook.
Për arrestimin e tij ka reaguar ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili e konsideron arrestimin si hakmarrje të Beogradit ndaj dronit që lëshoi në stadium dhe kërkon lirimin urgjent të tij nga burgu, duke akuzuar Kryeministrin, Edi Rama si i urdhërues i arrestimit.
“Rama me urdhër të Beogradit arreston superfansin e kombëtares tonë Ismail Morina. Kërkoj lirimin e tij urgjent”, tha Berisha në një postim në Facebook.
“Te dashur miq, me urdhër të Edi Ramës arrestohet sapo vuri këmbën në dheun e tij Ismail Morina si hakmarrje për dronin që lëshoi në stadiumin e Beogradit me figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit dhe që harboi fare ultra-nacionalistet serb me në krye serbomadhin Vuçiç”, ka thënë Berisha.
“Që nga ajo kohë Ismail Morina është shndërruar në njeriun më të persekutuar në Ballkan. Rama dhe Vuçiç përkatësisht shërbimet e tyre sekrete kanë montuar kundër Ballistit kurthe të ulëta dhe sajuar akuza pa asnjë baze. Dënoj me ashpërsinë më të madhe arrestimin e Morinës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij”, ka shtuar Berisha.
“Ju bëjë thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të ndërhynë për lirimin e tij të menjëhershëm dhe të dënojnë persekutimin politik të Morinës nga binomi famëkeq Rama-Vuçiç”, ka thënë ish-kryeministri.
/abc24.al/