Ndeshja mes Bylysit dhe Tiranës është komentuar gjerësisht pasi dyshohet të jetë trukuar, ndërkohë që në lidhje me këtë ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit e cila shprehet se ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.
Sipas FSHF-së, ka nisur një hetim për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme ndërkohë që pas kësaj, do te ketë vendimmarrje, në rast se do të gjenden prova.
Njoftimi i plotë:
“Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis – Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim. Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimmarrje, në rast se do të ketë prova.
Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen”.
Pas polemikave të shumta, në përfundim të ndeshjes së turpit mes Bylisit dhe Tiranës që përfundoi me rezultatin 2-1 dhe akuzave të shumta për tolerim si dhe përfshirje në baste, ka reaguar klubi i Tiranës.
Bardheblutë kanë rrëzuar poshtë të gjitha akuzat, duke theksuar se kurrsesi nuk mund të bëhen pjesë e asnjë skenari të stisur. Sipas tyre, të gjitha këto tymnaja krijohen për të prishur harmoninë dhe pozitivitetin në skuadër si dhe për të dëmtuar imazhin e klubit.