AFP: Në Shqipëri, zhytësit kërkojnë bomba të Luftës së Dytë Botërore

0
25
Gjigandi

Nën një shkëmb në gjirin e Vlorës, një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare, një zhytës del nga uji duke mbajtur një predhë artilerie të cilën e vendos me kujdes në plazhin me guralecë.

Poshtë ujit të pastër kristal të Adriatikut atje, predha dhe granata që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore ndryshken në shtratin e detit, thotë AFP, duke ndotur ambientin dhe duke paraqitur njëkohësisht një kërcënim vdekjeprurës. Në bordin e anijes mbështetëse të zhytjes “Pluton”, një grup prej rreth 10 zhytësish francezë dhe shqiptarë janë në një mision të përbashkët për të gjetur dhe hequr municionet, por askush nuk e di se sa kanë mbetur ende.

Brenda më pak se dy orësh, ata arritën në mënyrë mbresëlënëse të mbledhin 85 copë municione, të cilat me gjasë janë hedhur qëllimisht në det nga trupat pushtuese italiane mbi shtatë dekada më parë.

“Këto janë municione italiane të Luftës së dytë Botërore, të cilat në vend që t’i dërgonin mbrapsht në Itali, i braktisën këtu e i hodhën në det”, tha Ilirian Kristo , zv/komandat i njësisë së zhytësve.

Specialistët gjetën gjithsej 310 pajisje të tilla gjatë operacioneve të përbashkëta franko-shqiptare vitin e kaluar. Shumica e tyre ishin predha artilerie, të vendosura midis shkëmbinjve në shtratin e detit.

“Është një punë e përbashkët me marinën shqiptare, e cila e njeh vendin më mirë se ne. Identifikimin e saktë të mortajave e predhave që nxjerrim e komplikon fakti që gjendja e tyre është përkeqësuar mjaft. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse kalojnë një kohë të caktuar në tokë, nën ujë është mjaft e vështirë”, tha Aymeric Barazer de Lannurien, kapiteni i “Pluton”.

“Gjatë operacionit të sotëm gjetëm 85 predha të përmasave të ndryshme, nga 155 mm deri tek ato më të voglat. Ata do të transportohen në Tiranë për t’u asgjësuar në një terren shkatërrimi të municioneve të pashpërthyera”, tha Ilirian Kristo.

Ekipet e angazhuara për këtë qëllim përballen jo vetëm me rrezikun e shpërthimit të municioneve, por edhe me detin e trazuar dhe vapën përvëluese. Megjithatë siç thotë Ilirian Kristo, zhytja për gjetjen dhe asgjësimin e bombave nuk është vetëm profesion, por edhe një pasion i madh./topchannel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu