Gjimnastja e famshme botërore Simone Biles si dhe një grup kolegesh të saj, kanë kërkuar më shumë se 1 miliardë dollarë dëmshpërblim pranë FBI-së. Ato kanë akuzuar agjencinë e shërbimit inteligjent amerikan se nuk kanë ndalur mjekun Larry Nassar, i akuzuar dhe dënuar më vonë për ngacmime dhe abuzime seksuale ndaj gjimnasteve.
“Ka ardhur koha që FBI të konsiderohet fajtore për paaftësinë dhe neglizhencën e saj”, tha Maggie Nichols, gjimnaste dhe kampione e Amerikës në vitet 2017-2019. Sipas akuzave të gjimnasteve, FBI ishte në dijeni të abuzimeve seksuale nga ana e mjekut të kombëtares që në vitin 2015.
Gjithsesi, agjentët federalë nuk ndërhynë për të ndalur skandalin.
“Nëse FBI do të kishte ndërhyrë dhe do të bënte deyrën e saj, Nassar do të ishte ndalur më herët dhe nuk do të kishte kryer të tjera abuzime seksuale me qindar vajza të reja. Përfshi mua”, tha Samantha Rosy, ish-gjimnaste. FBI ka 6 muaj kohë për t’u përgjigjur ndaj akuzave për dëmshpërblim.
Nassar u arrestua në vjeshtën e vitit 2016 gjatë një hetimi të policisë së Michigan. Unitersiteti Shtetëror i Michiganit, që kishte dijeni për ngjarjen për shumë vite, ka pranuar të paguajë si dëmshpërblim 500 milionë dollarë për më shumë se 300 vajza që janë abuzuar nga mjeku.