Eksperti i bimëve medicinale, Alban Ibraliu, i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka komentuar nismën për legalizimin e kanabisit.
Ibraliu tha se kanabisi mjekësor tashmë është i rregulluar me ligj në disa vende të BE-së, duke shtuar se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të ndodhë kjo.
Por më parë sipas Ibraliut duhet të kemi kultivim të kanabisit duhet një kuadër i plotë ligjor, që të ushtrojë kontroll të plotë mbi këtë aktivitet.
Pjesë Nga biseda:
Ibraliu: Kanabisi mjekësor sot është realitet në mbarë botën. Po gjen përdorim gjithmonë e më të madh si bimë mjekësore. Vendet e BE po rregullojnë legjislacionin, i cili lejon dhe lehtëson aksesin që kanë pacientët tek bima mjekësore.
Xhokaxhi: A duhet legalizuar?
Ibraliu: Unë mendoj që ka ardhur momenti, pse jo edhe Shqipëria duhet ta lejojë legalizimin. Kjo nuk është për herë të parë si eksperiencë. Maqedonia e Veriut ka disa vite që ka nisur legalizimin e kanabistit, është i mundur kultivimi, por para se të mendojmë për ta kultivuar ne duhet të kemi një kuadër të plotë ligjor. Ne po flasim për të kultivuar kanabisin por se dimë akoma çfarë kanabisi do kultivojmë Çdo kanabis që e ka nivelin e THC-së më të ulët se 0.2% nuk ka rrezik.
Xhokaxhi: Çfarë nxirret nga kanabisi për mjekësi? Ne kemi dëgjuar vetëm për vajin e kanabisit?
Ibraliu: Janë një seri produktesh që dalin nga kanabisi, të cilat lehtësojnë dhimbjet, dhe vlerësohet me një ndikim të rëndësishëm edhe në disa forma të epilepsisë dhe sklerozës. Për farmaceutikën përdoren farat, por dhe gjethet. Ne po flasim për diçka që akoma nuk është ezauruar se si do të përdoret në atë pjesë të legjislacionit. Unë mendoj se ky proces mund të jetë i ngadaltë, por nëse ftohet aktorët e duhur. Shumë i rëndësishëm në këtë proces është dhe cilësia e këtyre produkteve.