Me rastin e shënimit të Ditës Olimpike, Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ky memorandum bashkëpunimi do t’i mundësoj KOK-ut, shfrytëzimin e hapësirave të kampusit të këtij universitet për pesë vitet e ardhshme.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, u shpreh se me këtë memorandum bashkëpunimi, UP dhe KOK-u vazhdojnë bashkëpunimin për mbjelljen e pemëve Olimpike për 5 vite më radhë.
Dema: KOK ka përkrahë vazhdimisht aktivitet e UP-së
“Sot jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit, një aktivitet që KOK-u e ka përkrahë fuqishëm. Aktiviteti ka të bëjë me mbledhjen e dorinjve, lisave që të bëjmë një kampus të gjelbër, një kampus të bukur që rrit bukurinë e Prishtinës. KOK ka shprehur dëshirën që ta ndihmojë në këtë aktivitet”, tha Dema.
Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u shpreh shumë i lumtur me këtë memorandum bashkëpunimi, ku sipas tij kampusi universitar do të pasurohet me pemët olimpike të mbjellura nga sportistët kosovar.
Hasani: Secili sportist do ta ketë pemën e vet
“Do i mbjellim çdo vit ka 200 drunjë , këto janë pemë Olimpike dhe secila do të jetë e veçantë sepse secila do ta ketë emrin e një sportist, trajneri apo drejtuesi të sportit, normalisht edhe të institucioneve tjera që na mbështesin, me të cilat ne kemi një mision të përbashkët zhvillimor dhe në këtë drejtim vërtetë ne kemi bashkëpunuar mirë”, tha Hasani.
Kujtojmë që ky nuk është bashkëpunimi i parë në mes të këtyre dy institucioneve, pasi që të dyja edhe më parë kanë bashkëpunuar në organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive.