Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, me rastin e Ditës ndërkombëtare të zjarrfikjes dhe shpëtimit, kërkon nga institucionet e vendit që të punojnë për tejkalimin e gjendjes së rënduar të zjarrfikësve, krijimin e kushteve normale të punës dhe ngritjen e kapaciteteve operative.
Në reagimin e saj, sindikata përkujton se kjo ditë i gjen zjarrfikësit në Kosovë në gjendje jo të mirë, me status të pazgjidhur dhe të pa definuar sa i përket kompetencave menaxhuese, si dhe kushteve e pajisjeve të punës.
“Sfidë kryesore për zjarrfikësit e Kosovës mbetet mos zbatimi i ligjeve, mos definimi i kompetencave në mes nivelit qendror dhe lokal, mungesa e planifikimit buxhetor, mungesa e investimeve, ndarja e përgjegjësive, se kush duhet të përkujdesët për zjarrfikësit. Kjo gjendje paraqet problem edhe në përfitimin dhe realizimin e të drejtave që iu takojnë me ligj, në kompensimin e ndërrimeve të natës, orët jashtë orarit, festave dhe benefiteve tjera. Këto benefite nuk janë realizuar për shkak të mos definimit të kompetencave dhe dualizmit të krijuar në mes të nivelit qendror dhe lokal
“, thuhet në reagim.
Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës thotë se sfidë tjetër mbetet numri i vogël i zjarrfikësve, mungesa e pajisjeve dhe mjeteve të punës, pajisje të pa testuar sipas deklaratës së prodhuesit, mos aplikimi i masave për mbrojtje e siguri në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, dhe shkeljet e të drejtave të kësaj kategorie.
“Askush nuk merr përgjegjësinë që iu takon si punëdhënës që të përkujdeset për të përmbushur obligimet që dalin nga aktet ligjore dhe nga kontrata e themelimit të marrëdhënies së punës dhe konsiderojmë se këto shkelje ligjore e diskriminime po rëndojnë mbi supet e zjarrfikësve”
, thuhet më tej në reagim.
Duke shpresuar se ky do të jetë vit i kthesës dhe realizimit të drejtave dhe përmirësimit të gjendjes për zjarrfikësit e Kosovës, sindikata edhe një herë i bën apel Qeverisë dhe kryetarëve të komunave t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të angazhohen për tejkalimin e gjendjes.
Gjithashtu u bëhet thirrje Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Brendshme, AME dhe kryetarëve të komunave, që me rastin e ditës se zjarrfikësve t’i vizitojnë shërbimet e zjarrfikjes dhe shpëtimit në Kosovë, për t’u solidarizuar me punën që ata bëjnë, si dhe për të parë nga afër problemet me të cilat po përballen.