Zinedine Zidane ka rigjetur “formulën magjike” te Real Madridi, thotë Aitor Karanka, me rikthimin e Real Madridit në krye të La Liga-s falë stërvitjes së mirë dhe punës së palodhur, jo me ndihmën e VAR-it. “Formula” e duhur është gjetur që nga rifillimi i sezonit, me 7 fitore radhazi dhe 5 prej tyre pa pësuar asnjë gol. “Los Blancos” janë favoritët kryesorë për titullin në Spanjë, duke synuar atë trofe që iu mungon prej vitit 2017.
Zidane ishte trajneri, që fitoi titullin e fundit, me francezin që kërkon të përsërisë suksese të tjera në eksperiencën e dytë në stolin e Real Madridit, që konsiderohet një nga më të nxehtët… Ish-lojtari dhe zv.trajneri i të bardhëve (në kohën e Mourinhos), Karanka analizoi atë që po ndodh me galaktikët: “Reali ka pasur një rifillim spektakolar të kampionatit. Sikurse duket, e ka shfrytëzuar më së miri ndalesën prej tre ose katër muajsh, pas ndeshjes kundër Manchester City.
Edhe një herë Zidane ka përdorur “formulën magjike” të tij. Lojtarë si Sergio Ramos, Karim Benzema dhe Thibaut Courtois po kthehen në maksimumin e tyre. Kur keni cilësi dhe thellësinë e skuadrës së Real Madridit, është normale që këto të ndodhin”.
Ndërsa Reali kanë demonstruar formë mahnitëse, ka pasur shumë sugjerime se vendimet e mëdha të VAR-it po shkojnë në favor të tij. Edhe zyrtarët kryesorë të Barcelonës kanë lënë të kuptohet se “Los Blancos” po ndihmohen, por Karanka beson se kemi më shumë aluzion dhe xhelozi sesa debat real dhe profesional: “Mendoj se kështu është dyshuar shumë herë. Kur fiton Real Madridi, gjyqtarët përfliten gjithmonë. Unë preferoj të flas për shtatë ndeshjet radhazi pa humbje, mbas rifillimit të La Liga-s. Real Madridi është i pamposhtur, ka treguar qëndrueshmëri më tepër se çdo skuadër tjetër. Kjo është arsyeja pse e kryeson renditjen”.