Në Shijak është zbuluar një “shtëpi bari”. Policia e Durrësit në një konferencë për shtyp tregoi detajet e ‘mega-operacionit’ të koduar ‘Krahët e Krimit’. Shtetasi Fredi Krasniqi ka rënë në prangat e policisë, teksa është shpallur në kërkim vëllai i tij Selman Krasniqi.
“Në një ambient (banesë), në fshatin Sallmone, Shijak, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave dhe se mbahej i fshehur një arsenal armësh, i poseduar nga grupe kriminale.
Si rezultat i këtij megaoperacioni, në fshatin Sallmone, u zbulua ambient (banesë 4-katëshe) i dyshuar në pronësi të vëllezërve F. K. dhe S. K.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se kati i tretë dhe i katërt i kësaj banese, ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 46 vjeç, banues në Sallmone, Shijak, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi S. K., 43 vjeç, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtes pa leje” – tha policia.
Blutë bënë me dije se gjatë operacionit u sekuestruan:
444 bimë narkotike
240 llamba elektrike
arsenal armësh
10 armë zjarri tip kallashnikov
1 armë zjarri tip pushkë
Granata dore
Jelek antiplumb
Municion luftarak